Mbappe: E kërkova largimin në verë, por ndihem i lumtur në PSG

Prishtinë | 04 Tet 2021 | 15:25 | Nga Ekonomia Online

Kylian Mbappe e ka pranuar se e kishte kërkuar largimin nga Paris Saint-Germain në një kohë kur po kërkohej nga Real Madridi në verë, por këmbënguli se ndihet i lumtur në kryeqytetin francez.

PSG-ja ia hodhi poshtë Realit një ofertë fillestare prej 180 milionëve e pastaj një tjetër në ditën e fundit të afatit kalimtar në gusht në vlerë mbi 200 milionë euro për 22-vjeçarin, raporton Gazeta Express.

Sulmuesi francez ka thënë tani se u përpoq të largohej në mënyrë që të mos ikte falas verën e ardhshme kur marrëveshja me klubin do t’i skadojë.

“Unë doja që klubi të fitonte një shumë (parash) për një zëvendësues cilësor”, tha Mbappe.

“Qëndrimi im ishte i qartë, unë doja të largohesha. Nuk e vlerësova faktin se ata më thanë se unë (erdha me lajmin se doja të largohesha) në javën e fundit të gushtit. Unë thashë në fund të korrikut se doja të largohesha”, shpjegoi ai.

“E kam thënë mjaft herët në mënyrë që klubi të mundë të reagonte. Doja që të gjithë të dilnim nga kjo situatë të fortë dhe duke dorë për dore”, shtoi ai.

Fituesi i Kupës së Botës me Francën thotë se e pranon vendimin e klubit për të mos e shitur.

“Është një klub që më ka dhënë shumë. Gjithmonë kam qenë i lumtur, gjatë katër viteve të mëparshme dhe ende jam. Unë iu thashë atyre se, nëse ata nuk dëshirojnë që unë të shkoj, atëherë unë do të rri”, tregoi ai. 

Të ngjashme