Messi mbetet pa rival për Këpucën e Artë, dënohet Mbappe

Prishtinë | 03 Maj 2019 | 15:47 | Nga Ekonomia Online

Kylian Mbappe është dënuar me tri ndeshje pezullim, pasi ishte ndëshkuar me karton të kuq gjatë ndeshjes finale të Kupës së Francës. Ky lajm është i mirë për Lionel Messin, i cili tani është edhe më afër Këpucës së Artë.

Ylli i Paris Saint-Germainit, Kylian Mbappe, tashmë e ka vuajtur njërin prej këtyre tri ndeshje që është i dënuar. Kjo do të thotë që ai do të mungojë edhe në dy ndeshje të tjera para se sezoni i Ligue të përfundojë.

Në anën tjetër, Lionel Messi, do të mundë të luajë edhe në tri xhiro të tjera në La Liga, edhe pse ai pritet që të pushohet për shumicën e minutave të këtyre të ndeshjeve, për ta mbajtur atë të freskët për Ligën e Kampionëve.

Aktualisht, argjentinasi i Barcelonës e kryeson garën për Këpucën e Artë të Evropës për këtë sezon, me 34 gola të shënuara, ndërsa pas tij radhitet Mbappe, me 30.

Messi dhe Cristiano Ronaldo i kanë baras Këpuca të Arta të fituara deri më tani, nga pesë secili. Mirëpo, tani Messi e ka mundësinë e përsosur për ta thyer rekordin dhe ta lë Ronaldon prapa vetes, duke e fituar këtë çmim për të gjashtën herë, këtë sezon.

Fabio Quagliarella i Sampdorias, përkundër që është duke e kaluar një sezon të jashtëzakonshëm, ka mbetur më prapa këtyre të dyve. Ai radhitet në pozitën e tretë, me 23 gola të shënuara.

Paris Saint-Germainit mund t’i mungojë edhe Neymari për ndeshjet e fundit, pasi e kishte grushtuar një tifoz gjatë kohës sa po ngjitej shkallëve të stadiumit për ta marrë medaljen e argjendtë të Kupës së Francës.

Besohet se braziliani Neymar do të dënohet deri në tetë ndeshje pezullim për këtë veprim. 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme