Ministri i Brendshëm i Gjermanisë mbështet rifillimin e Bundesligës

Prishtinë | 03 Maj 2020 | 14:04 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Brendshëm gjerman Horst Seehofer të dielën ka mbështetur idenë për rifillimin e Bundesligës këtë muaj pa shikues.  Qeveria do të ketë një takim vendimtar javën e ardhshme, ku do të vendoset për rifillimin e aktiviteteve sportive. 

Ndonëse klubet e Bundesligës janë lejuar të kthehen në stërvitje në grupe të vogla, liga është e pezulluar që nga mesi i marsit për shkak të pandemisë së koronavirusit dhe qeveria do të vendosë javën e ardhshme për rikthimin potencial të aktiviteteve sportive.

Liga e Futbollit Gjerman (DFL), duke insistuar për një rifillim, ka dorëzuar një protokoll shëndetësor për ndeshjet pa shikues, në të cilën përfshihen testimet e rregullta të lojtarëve, por jo futjen në karantinë të gjithë skuadrës në rast se ka teste pozitive te lojtarët.

“Më duket e besueshme korniza e Ligës së Futbollit Gjerman dhe përkrahi rifillimin në maj. Por, për mua është edhe e qartë se nuk duhet të ketë privilegje shtesë për ligën”, ka thënë Seehofer për tabloidin gjerman “Bild”.

Ai po ashtu ka thënë se është për futjen në karantinë të gjithë skuadrës në rast se një lojtar del pozitiv.

Klubet gjermane, në krizë financiare, janë duke insistuar të vazhdohet stinori, edhe pa shikues, që të mbyllet edicioni më 30 qershor, në mënyrë që të mos humben të hyrat nga të drejtat televizive.

Te klubi i Bundesligës, Koeln të premten janë testuar tre persona me koronavirus, dy futbollistë dhe një fizioterapeut.

Por, nuk është futur e gjithë skuadra në karantinë, pasi është llogaritur se lojtarët nuk kanë qenë raste kontakti të personave që kanë dal pozitiv. Mirëpo, futbollisti belg i Koelnit, Birger Verstreate, ka qenë kritik ndaj këtij vendimi.

“Ne nuk jemi futur në karantinë, dhe kjo është pak e çuditshme”, ka thënë ai për televizionin belg “VTM”. “Fizioterapeuti është njeriu, që mua dhe lojtarët tjerë me javë të tëra na ka trajtuar. Dhe me një nga dy lojtarët që kanë dal pozitiv unë kam formuar një dyshe të enjten duke stërvitur në një qendër fitnesi. Po ashtu mendoj se virusi është përhapur”.

Ai ka thënë se në mendjen e tij nuk është futbolli dhe se është naive të rifillohet shpejt me futboll.

Të ngjashme