Optimizmi u jep krahë “dardanëve” në rrugën drejt Podgoricës

Prishtinë | 06 Qer 2019 | 09:06 | Nga Ekonomia Online

I qetë e pa telashe ishte udhëtimi i përfaqësueses së Kosovës në futboll për në Podgoricë, ku të premten mbrëma do të luajë ndeshjen e rëndësishme të kualifikimeve për Evropianin e vitit të ardhshëm.

Në hotelin “Hilton” ku janë vendosur, lojtarët janë shfaqur të qetë e natyrisht pak të lodhur nga udhëtimi disaorësh me autobus. E tillë ishte edhe pritja, ndërsa i qetë do të jetë edhe stadiumi i qytetit në Podgoricë ku të premten mbrëma (20:45) luhet takimi Mali i Zi – Kosova.

Ndeshja do të luhet pa shikues dhe lojtarët nuk ishin të një fjale nëse kjo paraqet përparësi për “dardanët”. Por lojtarët janë unikë dhe në vijë të njëjtë për synimin e përfaqësueses në udhëtimin e vështirë për në Podgoricë, shkruan sot Koha Ditore.

Të gjithë pranojnë se synim i Kosovës do të jetë fitorja, ndonëse të gjithë janë të vetëdijshëm se arritja deri tek ajo nuk do të jetë e lehtë.

Kosova, të dielën, ka nisur përgatitjet për ndeshjet me Malin e Zi e po ashtu për atë me Bullgarinë që e luan javën tjetër në Sofje. Kosova ka stërvitur të dielën, të hënën, të martën dhe stërvitjen e fundit në “Fadil Vokrri” në Prishtinë e kreu të mërkurën paradite, para udhëtimit për në kryeqendrën e Malit të Zi.

Kur ishte hedhur shorti, ndeshja Mali i Zi – Kosova ishte vlerësuar e rrezikshmërisë së lartë për shkak të numrit të madh të serbëve që jetojnë në Mal të Zi dhe qëndrimit të tyre, por edhe të një pjese të malazezëve karshi shtetit të Kosovës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme