Prekazi nga Beogradi: Pse të gëzohem unë për pranimin e Kosovës në UEFA dhe FIFA?

Prishtinë | 11 Mar 2021 | 20:53 | Nga Ekonomia Online

Ish futbollistit nga Kosova me veprimtari në Beograd, Xhevat Prekazit, nuk i intereson se çka flitet për të në Kosovë, sepse siç tha, vendi ynë nuk ishte interesuar asnjëherë për të.

Ai më tej u shpreh se anëtarësimi i Kosovës në UEFA dhe FIFA nuk zgjoi asnjë gëzim, por se për të ishte një ndodhi normale.

“Unë Prishtinën si klub futbollistik kurrë s’e kam dashur. Vëllai im, Luani, kur ishte kthyer nga Beogradi/Partizani, ka luajtur për Prishtinën dhe si djalë i vogël unë me disa shokë prej Mitrovicës kemi shkuar për ta përcjellë në lojën Prishtina kundër Trepçës, dhe besoj që askush s’mund ta besojë që unë s’kam qenë për Prishtinën por për Trepçën, edhe pse Luani ka pas luajtur në mënyrë fantastike dhe e kishte dhënë një gol të bukur, por unë pas lojës kam qarë sepse Prishtinën kurrë s’e kam dashur, edhe pse Luani ka luajtur për të”.

Prekazi u shpreh se që nga viti 1974 kur kishte shkuar në Beograd, askush nuk ka bërë ndonjë intervistë me të deri në këtë moment kur e kontaktoi Klan Kosova, dhe se nuk merret me atë se çka flitet për të në vendin tonë.

“Kurrë nuk janë interesuar për mua, e tash çka shkruajnë për mua gazetat në Kosovë nuk më intereson, unë e di kush jam. E di edhe situatën e vëllait tim Luanit. Luanin nuk e njohin, e kanë shtyrë diku në anë të majte e djathtë. Luan Prekazi është legjenda e futbollit të Kosovës, është lojtari më i madh kosovar në historinë e futbollit të Kosovës, ai është legjenda më e madhe, por e keni harruar”.

“Nuk më interesojnë fjalët që fliten për mua në Kosovë, se kurrë gjatë jetës sime futbollistike askush nuk është interesuar për mua, ndërsa unë jam interesuar, edhe tash e përcjelli ligën e parë të Kosovës, por edhe të të gjithë botës, se futbolli është jeta ime”.

Ndërkaq, i pyetur se a i ishte gëzuar anëtarësimit të Kosovës në FIFA DHE UEFA, ai u shpreh se nuk ka arsye.

“Unë çka kam me u g’zu allahile? Nëse e ka pranuar, atëherë mirë është për krejt futbollistët nga Kosova që mund të luajnë edhe në reprezentacion të Kosovës edhe për kampionatin evropian dhe atë botëror. Pse të gëzohem unë? Gjë normale ka qenë për mua”, tha Prekazi.

Sportisti tashmë i dalë në pension, tregoi se në Kosovë kishte qenë para tri vjetësh, pas 20 vjetëve, dhe se arsyeja ishte pjesëmarrja në dasmë të djalit të vëllait të tij, duke mos dashur të komentojë se si i është dukur vendi pas gjithë atyre viteve.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme