Real Madridi s’dëshiron festime që mund t’i rrezikojnë tifozët

Prishtinë | 15 Kor 2020 | 09:36 | Nga Ekonomia Online

Pasi që Real Madridi mund ta sigurojë edhe matematikisht titullin e La Ligës për këtë sezon të enjten, autoritetet në kryeqytetin spanjoll kanë filluar të mendojnë për festime të mundshme të titullit gjatë kësaj kohe kur vazhdon rreziku nga koronavirusi.

Zakonisht, tifozët e Real Madridit grumbullohen te shatërvani Cibeles për ta festuar titullin e kampionit dhe madje edhe lojtarët e vizitojnë atë vend si pjesë e festës zyrtare.

Megjithatë, drejtuesit e Real Madridit duan ta shmangin çfarëdo situatë që mund ta rrizikojë shëndetin e tifozëve dhe, për këtë arsye, është pothuajse e pamundur që lojtarët e Real Madridi të shkojnë në Cibeles këtë vit.

Në vend të kësaj, Real Madridi mendon ta organizojë një festë në Santiago Bernabeu në një datë të mënvonshme, kurdo që të mundë të ofrohet siguri për tifozët.

Edhe Këshilli i Qytetit është duke punuar në vendosjen e disa masave për të mos i lejuar tifozët të grumbullohen në Cibeles apo diku tjetër të enjten edhe të dielën, në mënyrë që të mos përsëriten skenat në Cadiz pas promovimit të tyre në La Liga.

“Ju lutem mos festoni në Cibeles. Festojeni titullin me flamuj të Real Madridit nëpër ballkone”, ka thënë kryetari i Madridit, Jose Luiz Martinez Almeida. 

Të ngjashme