Rizespori do hise në shitjen eventuale të Muriqit

Prishtinë | 23 Pri 2020 | 14:51 | Nga Ekonomia Online

Ish-klubi i sulmuesit kosovar i kërkon 15 për qind të parave nga shitja eventuale e futbollistit të Fenerbahçes gjatë verës që vjen

Rizespori po kërkon hise nga shitja eventuale e Vedat Muriqit gjatë verës që vjen.

Sipas mediave turke, ish-klubi i futbollistit kosovar i kërkon hiç më pak se 15 për qind, nëse Fenerbahçe e shet sulmuesin pas përfundimit të këtij sezoni.

Interesimi i klubeve të njohura evropiane për përfaqësuesin kosovar nuk mungon.

Mbi të gjitha, atë e duan Tottenhami në Angli dhe Lazio në Itali.

Në Serie A, 26 vjeçari pëlqehet edhe nga Napoli, derisa në Angli po e vëzhgojnë edhe Manchester United, Leicester City, Newcastle United, Burnley dhe Brighton.

E përditshmja turke “Aksham” shkruan se vlera e Muriqit ka rënë së fundmi për shkak të krizës së shkaktuar nga koronavirusi.

Prandaj, Fenerbahçe mund ta shesë prizrenasin për 15 milionë euro.

Muriqi e nisi furishëm këtë sezon me Fenerin, por në ndeshjet e fundit pati rënie të formës dhe i munguan golat.

Sidoqoftë, ai është njëri prej futbollistëve më të kërkuar shqiptarë në tregun evropian./ge

Të ngjashme