Shaqiri feston titullin e Premierligës

Prishtinë | 23 Kor 2020 | 10:48 | Nga Ekonomia Online

Pas trofeut të Ligës së Kampionëve, Kupës së Botës për Klube dhe Superkupës së Evropës, Xherdan Shaqiri e ka shtuar edhe trofeun e Premierligës në koleksionin e trofeve të fituara gjatë dy sezoneve të tij me Liverpoolin.

“Reds” e ngritën trofeun e Premierligës të mërkurën pas fitores me rezultat 5:3 kundër Chelseat në ndeshjen e fundit në shtëpi për këtë sezon, ku megjithatë nuk u lejuan tifozët në tribuna shkaku i koronavirusit.

Megjithatë, lojtarët dhe stafi e patën mundësinë t’i ftonin familjet e tyre të jenë të pranishme për këtë festë, përderisa ceremonia u zhvillua në një skenë të ndërtuar në tribunën e famshme “Kop End” të stadiumit.

Liverpooli nuk e kishte fituar asnjëherë më parë në histori trofeun e Premierligës, pasi triumfi i tyre i fundit ishte 30 vjet më parë nën Kenny Dalglish kur liga elitare ishte Divizioni i Parë. Dalglish ishte i përfshirë dje në festë.

Në mesin e këtyre festimeve ishte edhe Xherdan Shaqiri, i cili pas festës e publikoi një fotografi në llogaritë e tij në rrjete sociale, duke e përcjellë atë fotografi me mesazhin “Kampionë të Anglisë”.

Të ngjashme