Shkëlqimi i madh i klubit të ri

Prishtinë | 26 Qer 2020 | 09:57 | Nga Ekonomia Online

Klubi i hendbollit Ferizaj (femrat) u themelua më 2018 me besimin e palëkundshëm se për dy vjet mund ta lartësojë trofeun. Me të njëjtën frymë afroi edhe hendbollistet që kishin hequr dorë nga hendbolli. Dhe Yllka Kupina-Ademaj e Edona Rogova pas disa vjetësh pauzë u kthyen në parket për t’ia kthyer kurorën qytetit të hendbollit. Kishin fituar tituj me ekipe të ndryshme, por në Ferizaj do të bashkoheshin në një ekip të ri të themeluar para dy vjetësh. Kapitenia Kupina-Ademaj ka ngritur para tri netësh trofeun e kampionit të Kosovës në kategorinë e femrave. Ferizaj ka humbur të martën mbrëma ndeshjen si mysafir i Istogut, tashmë ish-kampion, me një gol dallim. Por ferizajaset kishin fituar ndeshjen e parë si vendës me pesë gola dallim. Falë këtij goldallimi, KHF Ferizaj u kurorëzua si kampion i edicionit 2019/20.

“Titulli kampion, si për çdo lojtar e lojtare, ka vlerë të madhe. Ndërsa si ekip nuk ka më mirë se për dy vite ekzistimi të klubit të triumfojë si kampion në vitin 2019 në Ligën e parë, ndërsa si debutues në Superligë, kampion në vitin 2020, kjo është një ndjenjë e papërshkrueshme”, ka thënë të enjten Kupina-Ademaj.

Ferizaj përfundoi stinorin e ndërprerë nga pandemia në vendin e katër, duke lënë në vend të pestë ekipin tjetër ferizajas, Kastriotin. Shumëkush është befasuar me triumfin e vajzave të kthyera në parket me qëllimin e qartë për fitore. Gjatë krejt kampionatit të vjetëm në Ligën e Parë nuk kishin njohur kundërshtarë. Vëmendjen e opinionit më të gjerë e rrokën në ndeshjet gjysmëfinale, duke eliminuar Vushtrrinë.

“Për ne nuk ka qenë befasi, sepse ne edhe gjatë kampionatit të rregullt e kemi mposhtur Istogun, dhe ka qenë më e vështirë se në finale”, ka deklaruar Rogova, duke thënë se çelësi i suksesit ishte fryma ekipore e lojtareve që më parë kishin fituar bashkërisht trofe nëpër ekipe të ndryshme. “Ne jemi përballur me shumë vështirësi, edhe financiare, por jemi kthyer pas shumë vjetësh për të fituar. Është diçka që e kemi ndier përbrenda, pavarësisht sfidave të shumta”, ka thënë Rogova, duke falënderuar veçanërisht kryetarin e klubit, Xhavit Morina, të cilit vazhdon t’i referohet me “trajner”.

Vështirësitë financiare

Hajrullah Rexhepi, refer ferizajas i hendbollit, ka përmbledhur në një status në “Facebook” krejt peripecitë e klubit.

“Ishte viti 2018 kur flitej se do të krijohej një klub i ri i hendbollit për femra, por askush nuk besonte, por u krijua nga disa punëtorë sportivë në krye me Xhavit Morinën dhe Emine Bislimi Mehmetin, trajnerët Sami Qerkini, Granit Sahiti e Hajrije Osmani, si dhe nga disa lojtare të cilat pauzuan nga karriera e tyre hendbollistike te KH Kastrioti, por të cilat u riaktivizuan dhe me disa lojtare të reja filluan garat në Ligën e Parë”, ka shkruar Rexhepi në profilin e tij, duke shtuar se pavarësisht shumë “mundimeve, sidomos në aspektin financuar”, ia dolën të shpallen kampionë të Kosovë.

Ndërsa drejtoresha e klubit, ish-hendbollistja e Kastriotit, Emine Bislimi-Mehmeti, ka shtuar: “Kur të marrin diçka me menaxhuar profesionistët nuk ka mundësi të mungojë vullneti. Ky është pasioni për hendbollin, edhe pse me shumë pak mjete financiare ia kemi dalë. Edhe pse ka qenë thuajse e pamundur, ne ia kemi dalë duke falënderuar vajzat që na kanë kuptuar kur kemi pasur dhe kur nuk kemi pasur mbështetje financiare”.

Këtë e konfirmon edhe gardiania Rogova, duke e pranuar se shpesh nuk kanë mundur të organizoheshin stërvitjet për shkak të telasheve financiare. Kapitenia Kupina-Ademaj ishte prej themelimit pjesë e skuadrës e themeluar nga disa ish-hendbollistë e hendbolliste të gjeneratave të ndryshme të Kastriotit, me të cilin identifikohet hendbolli ferizajas.

“Derisa po bisedojmë për përbërjen e ekipit, si kapitene dua të falënderoj të gjitha bashkëlojtaret që kanë përbërë ekipin në vitin e parë të krijimit: Kaltrina Domaneku, Bjondina Sylejmani, Genta Orana, Donika Syla, Kosovare Rashiti dhe disa vajza të reja të cilat vetëm sa ishin në hapat e parë të hendbollit”, ka ngulmuar Kupina-Ademaj.

Izet Gjinovci, sekretar i Federatës së Hendbollit të Kosovës (FHK), ka thënë se Ferizajt iu kthye titulli në mënyrë të veçantë, duke pasur parasysh titujt e shumtë të Kastriotit. Ai ka thënë për “çudi” dy vjet pas themelimit, klubi Ferizaj ia doli të shpallej kampion./Koha

“Edhe pse me kushte të vështira, dhe me një formacion paksa të moshuar, ato me meritë e fituan titullin e këtij edicioni”, ka thënë Gjinovci.

Synimi, garat evropiane

Kupina-Ademaj dhe Rogova thonë se ekipi që ishte inkuadruar në Superligë pas gjashtëmbëdhjetë fitoreve rresht në kategorinë më të ulët, kishte besuar qysh në fillim se mund ta ngrinte trofeun edhe në elitë. Kryesia ua kishte dalë t’ua mbushte mendjen shumë veteraneve të hendbollit të Kosovës që t’i ktheheshin edhe një herë lojës së hendbollit.

Të ngjashme