Shkëmbi: Nuk ishte lojë e mirë, për meritë të kundërshtarit

Prishtinë | 14 Mar 2021 | 16:24 | Nga Ekonomia Online

Ballkani dhe Drita kanë ndarë pikët në kryendeshjen e javës së 25-të në Superligë.

Dy skuadrat pretendente për titull të kampionit kanë zhvilluar një lojë të zbehtë, ku në fund përfundoi me rezultat të bardhë 0-0.

Trajneri i Ballkanit, Bledi Shkëmbi ka thënë pas ndeshjes se ishte një lojë e keqe nga dy skuadrat për titull, por kjo për meritë të Dritës që nuk i la hapësira skuadrës së tij.

“Nuk mendoj se ishte një lojë e mirë për dy rivalët për titull. Ishte një lojë me ritëm të ulët kjo për meritë të kundërshtarit që kishte ardhur të marrë një barazim dhe ia doli”.

“Kundërshtari nuk na lejoi të bënim lojën tonë, por kur mbetëm me 10 futbollistë u bë më e mirë ndeshja”, tha Shkëmbi.

Krejt në fund tekniku nga Korça tha se nuk është keq të marrësh një pikë nga një rival për titull.

“Gjithsesi duke marrë parasysh se kanë luajtur dy rivalë për titull mendoj se një pikë nuk është keq”, ka deklaruar Shkëmbi.

Pas këtij barazimi Ballkani vazhdon të mbetet në vendin e dytë në tabelë me 52 pikë, dy më pak se lideri Drita.

Të ngjashme