Shoqata e Gazetarëve Sportivë shpërblen kronikën më të mirë televizive, shkrimin, fotografinë dhe “Reporterin e ri”

Prishtinë | 17 Mar 2022 | 13:27 | Nga Leonora Kolukaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Shoqata e Gazetarëve Sportivë të Kosovës (SHGSK) ka organizuar ceremoninë e ndarjes së çmimeve vjetore për gazetari sportive “Ali Shala”.

Me këtë rast janë ndarë shpërblimet në katër kategori: Kronika më e mirë TV/Radio, Shkrimi më i mirë, Fotografia më e mirë dhe Çmimi “Reporteri i ri”.

Çmimit “Best Young Reporter” iu nda gazetares së sportit, Elhona Pateriku. Ajo tha se është e nderuar që nderohet me këtë çmim. “Është viti i parë që punoj si gazetare. Vij nga Shkodra. Ky çmim është motivim për mua”, shtoi ajo.

Çmimi për fotografinë më të mirë të vitit e mori fotografi Shpend Ahmeti. Ai falënderoi shoqatën për vlerësimin.

Çmimin për Kronikën më të mirë radiotelevizive e mori Faton Polisi nga KTV-ja për storjen “Nga jetesa e vështirë tek ëndrra për t’u bërë yll”.

Ai tha se vlerësimin e ka marrë nga dy profesorë që ishin më mesin e jurisë. “Shpresoj që ata të mburren me mua. E ne kemi vlerësuar që djaloshi të cilit ia kemi realizuar këtë storje, duhet ta ketë hapësirën televizive për shkak se llogaritet të jetë ndër shpresat e futbollit të Kosovës”.

Çmimi për shkrimin më të mirë të vitit e mori Kemal Goca, i cili tha se zotohet se do të raportojë për ngjarjet për të cilat prokupohet opinioni. Ai ka raportuar për abuzime seksuale që ndodhin në sporte të ndryshme në Kosovë.

“Ky shkrim që e kam bërë nuk ka qenë i lehtë. Tash e asaj kohe marr edhe telefonata nga disa federata, të cilat më fajësojnë se po i bëj dëm sportit. Shumë shpejt do të publikojmë edhe emra të tjerë”, tha Goca.

Krahas shpërblimeve kryesore, po ashtu janë ndarë dhe çmime të tjera, për ata që kanë dhënë dhe japin kontribut për gazetarinë sportive në Kosovë.

Çmimi “Post Mortum” u nda për të ndjerin Ahmet Hysenaj, të cilin e mori familja. Kurse Çmimi për vepër jetësore iu nda Musa Begut.

Edmond Thaçi, kryetar i Shoqatës së Gazetarëve Sportivë, tha se me këtë ceremoni po e kurorëzojnë një punë njëvjeçare të gazetarëve sportivë. “E kaluam një vit të vështirë me pandemi, megjithatë aktivitetet e Shoqatës së Gazetarëve Sportivë kanë qenë të shumta. Kemi organizuar aktivitete që janë në shërbim të gazetarëve”.

Ismet Krasniqi, president i Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), tha se është kënaqësi e veçantë të jetë më këtë ceremoni. “KOK-u ka bashkëpunim të frytshëm me shoqatën dhe të gjithë gazetarët sportivë, bashkëpunim ky që do të vazhdojë edhe në të ardhmen”, u shpreh Krasniqi.

Ministri i Sportit, Hajrullah Çeku, tha se duhet bashkim forcash për ta zhvilluar sportin në Kosovë. “Kemi rezultate kulminante edhe në arenën ndërkombëtare. Por, kemi nevojë të krijojmë një sistem shumë më efektiv. Te organizatat sportive është procesi i licencimit, rilicencimit të federatave sportive në Kosovë. E kemi hartuar një dokument i cili do të konsilidojë kriteret e licencimit”.

Ministri Çeku shtoi se MKRS-ja e merr seriozisht çështjen e qeverisjes së mirë në organizata sportive. “Është një temë në të cilën ne qëndrojmë me të gjitha kapacitetet tona”.

“Përgëzime për të gjithë gazetarët sportivë për punën që e kanë bërë përgjatë vitit të kaluar. Ata që e meritojnë të shpërblehen janë shumë më shumë se kaq”, theksoi Çeku.

Të ngjashme