Shpërthimi i Martinezit ka rritur ambiciet e Interit

Prishtinë | 10 Dhj 2019 | 12:52 | Nga Ekonomia Online

Lautaro Martinez ka pasur një fillim të furishëm të stinorit, duke ngritur Interin në krye të ligës italiane dhe duke rritur edhe shpresat për arritje sa më larg në kupat evropiane nën drejtimin e trajnerit Antonio Conte.

Martinez 22-vjeçar, i njohur me nofkën “Demi”, i është bashkuar Interit stinorin e kaluar nga Racing Club, kur realizoi nëntë gola, ndërsa Interi përfundoi në vend të katërt në Serie A nën drejtimin e trajnerit Luciano Spalletti, shkruan sot Koha Ditore.

Por, reprezentuesi i Argjentinës ka lulëzuar këtë stinor nën direktivat e ish-trajnerit të Italisë dhe Juventusit, Antonio Conte, ndërsa ka shënuar 13 gola në 20 ndeshje dhe e kanë bërë atë lojtarin e adhuruar të tifozërisë. Në të vërtetë, Martinezi po mbulon denjësisht pozitën që u lirua nga bashkëkombësi i tij Mauro Icardi, i cili u huazua te Paris Saint-Germaini në verë të këtij viti.

Interi është duke kryesuar renditjen në Serie A me dy pikë ndaj kampionit në fuqi, Juventus. Interi po synon të ndalojë Juventusin që të fitojë titullin e nëntë rresht të Italisë.
“Sulmuesi ‘neuroazzur’ po e shijon një stinor të jashtëzakonshëm, ai është lojtar i madh”, ka thënë trajneri i Juventusit, Maurizio Sarri.
Interi të martën mbrëma do të presë Barcelonën tashmë të kualifikuar, duke e ditur se një fitore do të sigurojë kualifikimin në fazën nokaut të Ligës së Kampionëve.

Ishte një dygolësh i Martinezit dhe një i Romelu Lukakut që mbajti Interin në garë (Grupi F) pas fitores 3:1 në Pragë ndaj Slavias.

Të ngjashme