Shqetësime për trazira në ndeshjen Ukrainë – Kosovë

Prishtinë | 08 Tet 2016 | 17:16 | Nga

Grupi kundër diskriminimit ‘Fare Network’ thotë se ‘është një rrezik i lartë’ për trazira në ndeshjen e së dielës kur Ukraina e pret në Poloni, Kosovën për ta zhvilluar ndeshjen kualifikuese për Botëror.

Ky grup thotë se shumë vende të Evropës Lindore janë kundër pjesëmarrjes së Kosovës në kualifikime, ndërsa pretendojnë se vendi i vogël ballkanik me të drejtë është pjesë e Serbisë fqinje,

Në këtë vit ka pasur gjithashtu rritje të tensioneve politike ndërmjet Polonisë dhe Ukrainës, pas publikimit të një filmi, i cili shfaq masakrimin e etnikëve polak nga ana e kryengritësve ukrainas gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Ukraina teknikisht luan si vendas, por ndeshja e së dielës do të zhvillohet në qytetin polak Krakow, sepse Qeveria ukrainase nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

Përderisa raportohet se autoritet polake e kanë kufizuar numrin e fansave brenda stadiumit në 1 mijë, ka indikacione se shumë më tepër do të udhëtojnë për në Krakow, ku dihet që klubet lokale Wisla dhe Cracovia njihen për huliganizmin e tyre, transmeton Koha.net.

“FIFA thotë se numri i tifozëve është kufizuar, por nuk do ta dimë sa do të zbatohet një gjë e tillë deri sa të vjen koha e lojës. Brenda dhe jashtë stadiumit ndeshja paraqet një rrezik të madh”, ka thënë drejtori ekzekutiv i grupit Fare, Piara Powar për The Associated Press.

Ai ka shtuar më tutje se, “gjëja e fundit që ka nevojë Evropa momentalisht janë këto paraqitje agresive kombëtare”.

Kurse zëdhënësi i policisë në Krakow, Dariusz Lach ka thënë për AP se nuk do të ketë forca speciale për këtë ndeshje.

“Kjo nuk do të jetë një ngjarje masive. Momentalisht nuk jemi duke pritur ndonjë problem gjatë kësaj ndeshje dhe nuk do të ndërmarrim ndonjë masë speciale”, ka thënë Lach.

Ende ka konfuzion se sa fansa ukrainas dhe kosovarë do të ketë. Zëdhënësi i Federatës së Futbollit të Ukrainës, Mykola Vasilkov ka sugjeruar se rreth 1 mijë fansa ukrainas do të lejohen brenda stadiumit.

Kurse zëdhënësi i FFK-së, Fazli Berisha ka thënë se përderisa tifozët që jetojnë në Kosovë kanë nevojë për vizë, atëherë beson se, “përkrahja do të vijë nga kosovarët që jetojnë në vendet evropiane”.

Kosova nesër do të luajë ndeshjen e tretë kualifikuese për Botëror si mysafir i Ukrainës nga ora 18:00.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme