Shqiptarja që nderon Greqinë, atletja më e mirë evropiane për tetorin

Prishtinë | 11 Nën 2018 | 14:10 | Nga Ekonomia Online

Në ka një fushë, që i vë të gjithë në paqe, ajo është fusha e sportit. E pamë këtë në Lojërat Olimpike Dimërore, me Korenë e Veriut dhe të Jugut që garuan bashkërisht nën një flamur, por po e shohim këtë edhe në aktualitetin shqiptar e atë grek, ku prej ditësh çështja “Kacifa” ka sjellë përplasje të shumta mes Tiranës dhe Athinës.

Në mes të kësaj klime po spikat një emër: Elina Xhengo, adoleshentja që po befason të gjithë në hedhjen e shtizës në atletikë. Është vetëm 16 vjeçe, por rezultatet e saj janë mbresëlënëse. Për më tepër, Elina Xhengo është një atlete shqiptare që jeton në Greqi, e që garon me flamurin e këtij shteti në hedhjen e shtizës.

Ajo është shpallur si atletja evropiane më e mirë për muajin tetor, nga votimi i bërë në 3 platformat më të rëndësishme të rrjeteve sociale: Facebook, Twitter dhe Instagram.

16-vjeçarja greko-shqiptare fitoi 3.470 vota, duke lënë pas ukrainasen Yaroslava Mahucik, si dhe bullgaren Aleksandra Nacheva.

Elina Xhengo, pas zhgënjimit të pësuar në kampionatin evropian të atletikës për kategorinë U18, arriti të rimarrë veten dhe shkëlqeu në Lojërat Olimpike Rinore të zhvilluara në Buenos Aires, në hedhjen e shtizës, garë ku ajo vendosi edhe një rekord duke realizuar hedhjen e shtizës për 63.34 metra për t’u bërë shqiptarja, që në shkallën më të lartë të podiumit ngriti flamurin e vendit fqinj, atë grek.

Të ngjashme