Si ndikoi shitja e Cristiano Ronaldos në financat e Juventusit

Prishtinë | 01 Sht 2021 | 18:02 | Nga Ekonomia Online

Juventusi ka përfituar rreth 52.3 milionë euro në këtë afat kalimtar duke përfshirë kursimet nga pagat e lojtarëve të larguar, përkundër se nga shitja e Cristiano Ronaldos te Manchester Unitedi ka përfituar vetëm 15 milionë euro.

Afati kalimtar veror në Itali është mbyllur, ashtu që Zonja e Vjetër nuk do të bëjë transferime deri në janar.

Calcio e Finanza ka bërë kalkulime ndërmjet pagave dhe çmimeve të transferimeve dhe ka saktësuar se Bianconerët kanë përfituar në total 52 milionë e 332 mijë euro në krahasim me verën e kaluar.

Ndërkaq, nëse kursimet në paga nuk merren parasysh, atëherë përfitimet janë vetëm 24.5 milionë euro.

Juventusi shpenzoi 117 milionë euro kur e transferoi Ronaldon nga Real Madridi në vitin 2018, ndërsa këtë verë e shiti te Djajtë e Kuq për 15 milionë euro plus tetë milionë të tjera në formë të bonuseve lehtë të arritshme nga CR7.

Bianconerët shpresonin të përfitonin 29 milionë euro drejtpërdrejt nga shitja, megjithatë këtë nuk e arritën. Porse, Juve ka kursyer rreth 57 milionë e 350 mijë euro nga paga e tij për pjesën e mbetur të kontratës (duke i përfshirë edhe bonuset).

Pos Ronaldos, bardhezinjtë e shitën edhe Cristian Romeron për 16 milionë euro, pasi Atalanta e shfrytëzoi klauzolën e mëparshme dhe pastaj përfitoi nga transferimi i tij te Tottenham Hotspur. /Telegrafi

Të ngjashme