Sinani transferohet në Premier League

Prishtinë | 02 Pri 2020 | 18:46 | Nga Ekonomia Online

Një futbollist me rrënjë nga Kosova të enjten e ka bërë një hap të madh në karrierë.

Reprezentuesi i Luksemburgut, Danel Sinani, është transferuar te skuadra e Premier Leagues së Anglisë, Norwich City. Kjo është bërë e ditur të enjten nga media të shumta në Luksemburg e në Angli.

Sinani 22-vjeçar, prej vitit 2017 luan për Dudelangen. Më herët ishte te skuadra Union Luxembourg, ndërsa ka luajtur edhe për U-19 e U-21 të Luksemburgut.

Danel Sinani ka lindur në Beograd, por nuk është shqiptar. Familja e tij është nga Kosova, por i takon komunitetit goran. Prej moshës 5-vjeçare jeton në Luksemburg.

Sinani luan si mesfushor ofanziv dhe si sulmues, ndërsa vlerësohet lartë. Te Norwichi do të kaloj si lojtar i lirë. Kontrata e tij me skuadrën nga Luksemburgu, Dudelange, përfundon në verë. Sinani do të firmos për tri vite me Norwichin, që është në fund të tabelës së Premier Leagues.

“Është një ekip shumë i mirë, që luan në kampionatin më të mirë në botë. Kështu që vendimi im ishte i menjëhershëm”, ka thënë Sinani, përcjellin mediumet e Luksemburgut.

Vet Sinani në të kaluarën kishte thënë se nuk ka të bëjë me shqiptarët, raporton Koha.net.

“Prindërit e mi kanë lindur e janë rritur në Dragash të Kosovës, por unë jam i lindur në Beograd, ashtu si vëllai im. Askush nuk më njeh në Shqipëri pasi nuk jam shqiptar. E di që të gjithë mendojnë që jam shqiptar, por realisht nuk kam asnjë lidhje me Shqipërinë. Jam rritur në Serbi e Luksemburg dhe nuk e di gjuhën shqipe”, kishte thënë Sinani për “Telesport”, në vitin 2018.

Sinani tashmë ka luajtur në Kosovë. Ishte paraqitur kundër Dritës së Gjilanit më 2 gusht të vitit 2018 në stadiumin “Adem Jashari”, në kualifikimet e Ligës së Evropës.

Të ngjashme