Tahir Batatina thyen izolimin e futbollit kosovar, fton futbollistët e Llapit të nisin stërvitjet

Prishtinë | 15 Mar 2020 | 16:46 | Nga Ekonomia Online

Futbolli kosovar ka ndaluar aktivitetin, sikurse të gjitha sportet tjera në vend. Kjo ndalesë erdhi pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për t’i ndërprerë të gjitha aktivitetet sportive në vend.

Madje, klubet i kanë ndërprerë edhe seancat stërvitore, derisa shumë prej futbollistëve kanë shkuar në shtëpitë e tyre.

Por, ky izolim pritet të thyhet nga llapjanët, pasi që trajneri i kësaj skuadre Tahir Batatina mendon ti nisë stërvitjet nga dita e hënë (16 mars).

“Jemi duke e analizuar situatën që nga nesër të fillojmë me stërvitje”, ka thënë fillimisht Batatina për gazetën “Zeri”.

Më pas tekniku llapjan ka folur edhe për rreziqet që mund t’i kanosen atyre, por për këtë gjë ai tashmë e ka një plan special.

“Do t’i ndajmë në grupe lojtarët që mos të kemi ndonjë rrezik, dhe këtë javë më shumë të aplikojmë seanca stërvitore nëpër vende malore apo në vende të hapura ku nuk kemi kontakte me njerëz tjerë”, ka thënë Batatina.

Federata e Futbollit e Kosovës njoftoi ditën e premte për pezullimin e përkohshëm të kampionatit deri në marrjen e një vendimi.

Të ngjashme