Trepça bëhet gati për një tjetër organizim, atë të Superkupës Mbarëkombëtare

Prishtinë | 03 Tet 2022 | 15:35 | Nga Ekonomia Online

Pas përfundimit me sukses të organizimit të ndeshjeve parakualifikuese të “FIBA Europe Cup”, KB Trepça do të jetë mikpritëse e një tjetër organizimi.

Palestra “Minatori” në Mitrovicë, do të jetë nikoqire e “Superkupës Mbarëkombëtare”, eveniment i cili iu besua klubit Gjelbër e Zi nga bordi i Ligës Unike dhe Federata e Basketbollit e Kosovës.

Në këtë garë marrin pjesë kampionët dhe fituesit e kupave nga Superliga e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës.

Ndeshjet e para do të zhvillohen të mërkurën, njofton klubi mitrovicas, përcjell “Gazeta Express”.

Nga ora 16:00, Teuta ballafaqohet me Tiranën kurse në orën 19:00, Trepça e pret Golden Eagle Yllin.

Fituesit e çifteve do të luajnë në finalen e madhe të enjten me fillim nga ora 20:00.

Në organizimin paraprak të “FIBA Europe Cup” tifozeria vendëse “TORCIDA” dhe publiku mitrovicas e kaluan provimin dhe njëjtë pritet të ndodhë edhe me organizimin e garës së radhës këtë mesjavë.

Të ngjashme