Vdes ish-trajneri i Realit dhe Barçës

Prishtinë | 07 Pri 2020 | 09:46 | Nga Ekonomia Online

Ndahet nga jeta në moshën 71-vjeçare ish-trajneri i tre klubeve më të mëdha spanjolle Real Madrid, Atletico Madrid dhe Barcelonës, serbi Radomir Antiç.

Nuk bëhen ende të ditura shkaqet e vdekjes së papritur të Antiç i cili do të mbahet mend gjithmonë si i vetmi trajner që ka stërvitur tre klubet më të rëndësishme të futbollit spanjoll.

Ai ishte për 17 vite futbollist profesionist, duke qenë ndër të tjera pjesë e Partizanit të Beogradit, Fenerbahçes, Zaragozës dhe Luton.

71-vjeçari u bë i njohur më shumë si trajner, ku pjesën më të madhe të karrierës e kaloi në Spanjë, duke shkruar historinë në këtë vend.

Përveç Realit, Barcës dhe Atleticos, ai gjithashtu drejtoi Oviedon, Zaragozën e Celta Vigon, ndërsa drejtoi edhe përfaqësuesen serbe dhe kishte një periudhë kur drejtoi edhe në Kinë.

Antiç ishte në krye të Atletico Madrid në vitin më të suksesshëm të klubit kur fitoi titullin dhe Kupën e Mbretit në edicionin 1995-1996, ndërsa krijoi një grup me lojtarë të shkëlqyer si Kiko, Caminero, Santi, Molina e Simeone, njofton The Guardian përcjell Klan Kosova.

“Me ndarjen nga jeta të Radomir, largohet një pjesë e zemrës të klubit”, ishte mesazhi i shefit ekzekutiv të Atleticos, Miguel Angel Gil, i cili bëri të ditur se flamuri i skuadrës do të qëndronte në gjysmështizë në stadiumin Wanda Metropolitano në nder të një prej figurave më të respektuara të futbollit spanjoll.

Të ngjashme