Anna Boniface dukej se e kishte botën te këmbët e saj duke përfunduar maratonën e Londrës të vitit 2017 si vrapuesja amatore më e shpejtë.
Performanca e saj ia siguroi një vend në skuadrën e Anglisë në maratonën e Torontos atë vjeshtë. Boniface 25-vjeçare atëbotë përfundoi garën në Londër për dy orë e 37 minuta dhe udhëtoi në Kanada gjashtë muaj më vonë.
Por, pas 16 kilometrash në debutimin e saj ndërkombëtar, Anna Boniface pësoi frakturë të kyçit të këmbës.
“Ishte një moment që më shkatërroi. Ishte e tmerrshme, pasi kurrë nuk kam besuar se do të mbes pa përfunduar një garë. Fillimisht mendova të luftoja e të përfundoja garën disi, por e kuptova se nuk është e mundur dhe se duhet të pres”, thotë Anna, shkruan BBC, transmeton “Koha Ditore”.
Por, më e keqja do të vinte. Pos frakturës në kyçin e saj, testet zbuluan edhe dendësi të dobët, përfshirë edhe osteoporozë në kurrizin e saj, që bëri frakturat rrezik të vërtetë.
Këto simptoma ishin të gjitha shenjë e një gjendjeje të quajtur Defiçenca Relative e Energjisë në Sport (Red-S).
Kjo ndodh kur personat sportivë kufizojnë ushqimin e tyre duke besuar se humbja konstante e peshës do t’i ndihmojë në përforcimin e performancës, madje e kufizojnë në atë mënyrë saqë funksioni i trupit nis të ndalet.
Kjo gjendje mund të shkaktojë një seri të problemeve shëndetësore, përfshirë rënien në nivel të hormoneve, dëmtimi i eshtrave, rënie të metabolizmit dhe problemet me shëndetin mental.