Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka zhvilluar takim në selinë e NATO-s në Bruksel me zëvendësndihmësen e Sekretarit të Përgjithshëm për Operacione, Burcu San, ku kanë diskutuar për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Aleancës, veçanërisht në fushën e mbrojtjes.
Haxhiu në NATO takon Burcu Sanin, kërkon thellim të bashkëpunimit me Aleancën

Haxhiu ka thënë se qytetarët e Kosovës kanë mirënjohje për NATO-n dhe besim të madh në të, ndërsa ky besim, sipas saj, mbështet edhe synimin e Kosovës për t’u bërë pjesë e Aleancës.
“Qytetarët e Kosovës janë mirënjohës ndaj NATO-s dhe kanë besim të madh në të. Mbi këtë besim mbështetet edhe synimi ynë që një ditë të bëhemi pjesë e Aleancës. E falënderova znj. San për kontributin e KFOR-it dhe për bashkëpunimin e tij me institucionet e Kosovës”, ka shkruar Haxhiu.
Ajo ka bërë të ditur se gjatë takimit është diskutuar për thellimin e marrëdhënieve Kosovë-NATO, me theks të veçantë në fushën e mbrojtjes dhe nevojën për konsultime më të rregullta politike.
“Krahas punës praktike, duam të kemi edhe konsultime më të rregullta politike. Kosova është e gatshme të japë kontribut edhe më të madh për sigurinë në rajon dhe në Evropë, siç dëshmon edhe mbështetja e saj për Ukrainën”, ka deklaruar ajo.
Haxhiu ka theksuar edhe përgjegjësinë e Kuvendit për mbikëqyrjen demokratike të sektorit të sigurisë, duke thënë se në këtë drejtim Kosova ka përfituar nga ekspertiza dhe mbështetja e NATO-s.
Po ashtu, ajo ka njoftuar Burcu Sanin se Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur delegatët e tij për Asamblenë Parlamentare të NATO-s, përmes së cilës synohet thellimi i bashkëpunimit me parlamentet e vendeve aleate.
“Kosova do të vazhdojë të jetë partnere e përkushtuar dhe e besueshme e NATO-s”, shtoi Haxhiu.















