Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, nesër do të udhëtojë për në Bruksel, ku do të marrë pjesë në Konferencën Botërore për e-Parlamentin (World e-Parliament Conference). Konferenca do të mbahet më 17 dhe 18 nëntor në Parlamentin Evropian dhe organizohet nga Unioni Ndërparlamentar dhe Parlamenti Evropian.
Haxhiu nesër në Bruksel, në Konferencën Botërore për e-Parlamentin

Sipas njoftimit, konferenca mbledh deputetë, sekretarë të përgjithshëm dhe zyrtarë të lartë të parlamenteve nga e gjithë bota. Tema qendrore e këtij edicioni është forcimi i demokracisë dhe i institucioneve parlamentare përmes transformimit digjital, me theks të veçantë në përdorimin e inteligjencës artificiale.
Bëhet e ditur se gjatë qëndrimit në Bruksel, Haxhiu do të zhvillojë takime me presidenten e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, dhe kryetarin e Senatit të Belgjikës, Vincent Blondel, si dhe me deputetë të Parlamentit Evropian dhe zyrtarë të tjerë të lartë.
Në këto takime do të diskutohet për thellimin e bashkëpunimit ndërparlamentar, për perspektivën evropiane të Kosovës dhe për kërkesën e vendit për anëtarësim në Bashkimin Evropian.















