Ekonomia Online
FUNDIT

Letra drejtuar ministrit Arben Vitia e pacientes që vdiq nga kanceri: Ju lus, merrni masa për sigurimin e terapisë!

Letra drejtuar ministrit Arben Vitia e pacientes që vdiq nga kanceri: Ju lus, merrni masa për sigurimin e terapisë!

Një paciente nga rajoni i Prizrenit, e cila ishte duke u trajtuar në Klinikën e Onkologjisë, vdiq në muajin tetor të këtij viti. Ajo vuante nga kanceri i gjirit.

Menjëherë pas vdekjes, organizata “Renesansa” reagoi në rrjetet sociale duke pretenduar se ajo vdiq në mungesë të barit “Palbociclib”.

Siç pretendonte Violeta Pirana, mungesën e barit me të cilin trajtohej pacientja nga rajoni i Prizrenit e kishte adresuar gjatë muajit qershor te ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, dhe te Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK).

“Ka qenë rasti me këtë zonjën që vdiq. Unë qëndroj pas asaj (deklaratës që pacientja ka vdekur në mungesë të barit), sepse ajo pas dy muajve…, unë i kam dërguar letra edhe ministrit, QKUK-së dhe drejtorit të Onkologjisë që mungon bari (Palbociclib)” – ka deklaruar Violeta Pirana nga “Renesansa”.

Vetë pacientja që vdiq në muajin tetor, e cila ishte duke u trajtuar me barin “Palbociclib”, u kishte dërguar shkresë përmes e-mailit ministrit Arben Vitia, Ministrisë së Shëndetësisë në e-mailin zyrtar, drejtorit të QKUK-së, Mentor Zejnullahu, dhe drejtorit të Klinikës së Onkologjisë, Ilir Kurtishi.

Shkresën ajo ua kishte dërguar secilit veç e veç më 28.06.2026.

Në letrën, të cilën e ka siguruar KALLXO e të cilën pacientja ia kishte drejtuar ministrit Arben Vitia, kërkonte që të merren masa për sigurimin e terapisë.

“Për 6 muaj kam përdorur këtë terapi dhe ka dhënë rezultate shumë të mira. Dhimbjet më janë lehtësuar, gjendja ime shëndetësore është përmirësuar, duke m’u kthyer shpresa për të vazhduar jetën, të cilën e dua shumë, që të jem në mesin e familjes…” – shkruante pacientja në letrën që mban datën 28.06.2026.

Tutje, ajo kishte përmendur edhe mungesën e terapisë “Palbociclib”.

“Por fati im i keq është se nga 10 maji, kur kam pasë me e marrë terapinë, nuk e kam përdorur sepse është në mungesë, e cila është shpresa e jetës time… Dhimbjet menjëherë u rikthyen sikur para përdorimit të terapisë. Kjo mungesë po ndikon shumë rëndë në jetën time të përditshme” – deklaronte pacientja që vdiq në tetor të këtij viti.

“Me respekt, ju lutem të ndërmerrni sa më parë masat e nevojshme për sigurimin e terapisë ‘Palbociclib’, pasi për mua dhe shumë pacientë të tjerë kjo terapi është jetike” – thuhej në letër.

KALLXO.com më 10.11.2026 i ka dërguar pyetje ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, Ministrisë së Shëndetësisë në e-mailin zyrtar, drejtorit të QKUK-së, Mentor Zejnullahu, dhe drejtorit të Onkologjisë, Ilir Kurtishi, për të konfirmuar nëse është trajtuar kërkesa e pacientes.

Por, ata nuk janë përgjigjur deri në publikimin e këtij artikulli.

Të ngjashme