Numër i madh i nxënësve mëngjesin e së hënës ia ka mësyrë shkollave të mesme në kryeqytet për tu regjistruar për vitin e ri shkollor, raporton Ekonomia Online.
Para shkollës “Sami Frashëri” dhe “Ahmet Gashi”, nxënësit edhe pse ishin renditur në radhë nuk kanë mbajtur distancën e nevojshme.
Nxënësit ishin të pajisur me maska, por edhe punëtorët e shkollave janë munduar që të respektohen masat.
Drejtori i Gjimnazit “Sami Frashëri”, Fetah Zejnullahu, tha se këtë vit do të pranohen gjithësie 320 nxënës në këtë shkollë.
Ai ka bërë të ditur se dokumentet do të pranohen deri të premten, përderisa të hënën do ta shpallen rezultatet.
Zejnullahu shtoi se kanë marrë një udhëzues nga ministria e Arsimit për mënyrën e mbajtjes së mësimit, po që ende nuk dihet nëse mësimi do të mbahet online spo në shkolla.
“Sivjet do të kemi 10 paralele me nga 32 nxënës, gjithëve 320 nxënës në gjuhën shqipe dhe një paralele në gjuhën turke”.
“Neve na ka ardhur udhëzuesi, jemi duke e zbatuar, prej sot deri me 21 pranohen dokumentet. me 24 shpallen rezultatet. Kriteri është nga lëndët prioritare”.
“Na kanë ardhur tri forma, por ende nuk kemi detaje se si do të zhvillohet mësimi, online apo si, por ne jemi duke u përgatitur në bazë të udhëzimeve siç do që të vendoset”.
Ajet Brajshori, drejtor në Shkollën Teknike “Ahmet Gashi”, tha për Ekonomia Online se janë bërë gati që mësimi të fillojë në objektet shkollore dhe se këtë viti do të paranojën 488 nxënës.
“Për vitin shkollor 2020/2021 do të regjistrohen 488 nxënës. Rrjedha po shkon normal në bazë të të gjitha rregullave. Interesimi është i madh”.
“Fillimisht uroj që të fillojë mësimi në objekte shkollore. Jemi duke u përgatitur që mësimi fillon në shkolla, po ne do të veprojmë në bazë të vendimeve që na sjell ministria e Arsimit”.
Edhe pse nuk ka një vendim përfundimtar mosmbajtja e distancës dhe mos respektimi i masave tjera është një nga arsyet pse shkollat nuk pritet të fillojnë mësimin fizikisht në shkolla në shtator.
Pas anulimi të testit të arritshmërisë, regjistrimi në klasën e dhjetë këtë vit do të bëhet vetëm në bazë të notës mesatare që nxënësit ka treguar nga klasa e 6 deri në të nëntën.
Në bazë të një vendimi të Ministrisë së Arsimit, për regjistrimin e nxënësve në klasën e 10-të në gjimnaze dhe shkolla profesionale mund të konkurrojnë kandidatët të cilët e kanë mbaruar arsimin e obligueshëm dhe nuk janë më të vjetër se 17 vjeç.
Për t’u pranuar në shkollën e mesme nxënësi duhet t’i plotësojë disa kritere, si nota mesatare e të gjitha lëndëve nga klasa e 6 deri në të nëntën, që do të vlerësohet me 60 pikë, dhe nota mesatare nga lëndët prioritare, që do të vlerësohet me 40 pikë.
Ndërkaq për gjimnaze dhe shkolla të mesme të mjekësisë kriteri i lëndëve prioritare është që mesatarja e këtyre lëndëve të jetë 4 e më lart.
Konkursi për pranimin e nxënësve shkolla të mesme do të qëndrojë i hapur deri të premten, ndërsa rezultatet do të shpallen më 24 gusht.