Përfaqësues të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe ata të bizneseve kanë deklaruar për gazetën “Epoka e Re: se shndërrimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në Forcën e Armatosur të Kosovës (FAK) Armatosur të Kosovës (FAK) është determinues i tërheqjes së investimeve të huaja, sepse kështu dërgohet mesazhi se vendi ynë është i sigurt dhe i mbrojtur nga provokimet e ndryshme.
Ministri i Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik (MZhE), Blerand Stavileci, ka thënë për gazetën “Epoka e Re” se siguria është një ndër elementet kryesore që ndikon në tërheqjen e investimeve të huaja. Andaj, sipas tij, krijimi i Forcës së Armatosur të Kosovës dërgon mesazh sigurie tek investitorët.
“Krijimi i Forcës së Armatosur të Kosovës është një indikator që do të ndikojë edhe në agjendën ekonomike si dhe në imazhin ekonomik. E themi këtë bazuar në faktin se në literaturën ekonomike janë dy faktorë potencialë që ndikojnë në tërheqjen e IHD-ve, e që janë siguria dhe normat e ulëta të interesit. Andaj, bazuar në këtë mund të themi se për investitorë të huaj, të cilët janë të interesuar të investojnë në Kosovë, krijimi i Forcës së Armatosur do t’ua dërgojë edhe një mesazh të qartë se në Kosovë ekzistojnë kushte të sigurisë dhe ka klime të të bërit biznes”, ka deklaruar Stavileci.
Edhe deputeti AAK-së, njëherësh anëtar i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Rrustem Berisha dhe kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, ka thënë se shndërrimi i FSK-së në ushtri do të përçojë mesazh të sigurisë tek investitorët e huaj.