Strategjia e partive për ta ndërthurur të kaluarën në fushatë

Prishtinë | 03 Tet 2019 | 09:34 | Nga Ekonomia Online

Periudha e luftës është bërë njëra prej temave të pandashme gjatë tubimeve elektorale. Të gjithë kandidatët e subjekteve për kryeministër të Kosovës nuk kanë lënë pothuajse në asnjë tubim pa rrëfyer histori të luftës. Njëjtë po ndodh edhe me figurën e ish-presidentit Ibrahim Rugova, të cilën zyrtarët e LDK-së po e përmendin në secilin prej tubimeve, shkruan gazeta “Zëri”.

Të mërkurën përfundoi dita e tetë e fushatës zgjedhore. Gjatë tubimeve që u mbajtën në Prizren, në Malishevë, në Prishtinë e në disa qytete të tjera kandidatët e subjekteve politike për kryeministër të Republikës së Kosovës premtuan para qytetarëve perspektivë për rininë dhe gjithë Kosovën. Por një pjesë të konsiderueshme të kohës ata ia kushtuan edhe të kaluarës. Disa folën për përvojat gjatë luftës, disa për kohën sa ishte gjallë ish-presidenti Ibrahim Rugova. Shumica e kandidatëve që janë në garë për shef të ardhshëm të ekzekutivit të njëjtën gjë nuk e praktikuan vetëm dje, por në pjesën dërrmuese të tubimeve të mbajtura qysh prej fillimit të fushatës (më 25 shtator). Sido që të jetë ata nuk i lanë anash as premtimet për investime në shëndetësi, në arsim, në bujqësi e as zotimet për luftë ndaj korrupsionit e forcim të partneritetit me SHBA-në e me BE-në.

Osmani: T’i tregojmë botës se jemi sikur në kohën e Ibrahim Rugovës

Kandidatja e LDK-së për kryeministre, Vjosa Osmani, gjatë një tubimi të mbajtur dje në Podujevë ka përmendur disa herë figurën e ish-presidentit Ibrahim Rugova. Teksa ka folur për formën se si do të dukej qeverisja me LDK-në në krye, Osmani ka thënë se kanë mbetur vetëm edhe pak ditë për ta dëshmuar bashkimin dhe fitoren sikurse në kohën e Rugovës. “I kemi edhe këto tri ditë për t’i treguar gjithë botës se sa të mishëruar jemi me frymën rugoviane qe tri dekada, për t’i treguar botës se si jemi besatuar me njëri-tjetrin sikurse në kohën e presidentit tonë historik dhe siç bënin bashkëpunëtorët e tij më të mirë, llapjanët, që kurrë nuk u larguan nga ai”, deklaroi Osmani.

Gjersa u zotua për bashkëpunim të sinqertë me SHBA-në nënkryetarja e LDK-së sërish inkuadroi Ibrahim Rugovën në fjalimin e saj. “Vetëm LDK-ja mund të bashkëpunojë në mënyrë të sinqertë me SHBA-në. Presidenti Rugova thoshte se shtëpia nuk mbahet pa miq. Ndërsa oponentët e mi u akuzuan edhe nga vetë SHBA-ja se ua ngulin thikën pas shpine. Të tillët nuk i duhen Kosovës, Kosovës i duhet vetëm LDK-ja, e cila lidh miqësi me botën demokratike”, potencoi ajo.

Veseli: Malisheva, streha e UÇK-së

Edhe kandidati i PDK-së për kryeministër, Kadri Veseli, një pjesë të konsiderueshme të fjalimit në Malishevë ia kushtoi të kaluarës, respektivisht UÇK-së. “Malisheva është streha e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka qenë dhe do të mbetet përherë adresë politike e UÇK-së, e PDK-së. Jam krenar dhe falënderues përjetë. Për nëntë vjet të rënda të persekutimit, pjesën më të madhe nga 1990-1999 e kanë mbajtur me besë, me pushkë, me lugë të përbashkët krejt njerëzit tuaj, shtëpitë tuaja Malishevë”, deklaroi ai.

Tutje ai foli edhe për kundërshtarët politikë, me ç’rast tha se ata duhet të bashkohen në rrugëtimin e PDK-së për ta luftuar korrupsionin e për ta forcuar partneritetin me SHBA-në. “Nuk duhet të na sulmojnë neve, por duhet të bashkohen me ne kundër luftës ndaj korrupsionit dhe projektit tonë për një Kosovë shumë më afër me SHBA-në dhe me BE-në. Duhet të bashkohen me ne për epokën e ndërmarrësisë”, shtoi Veseli.

Kurti: Dëshmorët dhe familjet e tyre kurrë nuk i kemi harruar

Gjatë ditës së djeshme kandidati i LVV-së për kryeministër, Albin Kurti, u zotua se do t’i ndihmojë familjet e dëshmorëve në momentin që do të vijë në qeverisje. Ai me këtë rast tha se dëshmorët nuk harrohen asnjëherë. “Dëshmorët dhe familjet e tyre ne kurrë nuk i kemi harruar dhe nuk do t’i harrojmë, sepse sakrifica jetësore e tyre e ka ngritur kombin tonë. Përjetë u kemi borxh e me qeverinë e re menjëherë do të fillojmë t’u ndihmojmë e t’i përkrahim”, deklaroi Kurti pas një takimi që pati me gratë e dëshmorëve në Therandë, përcjell gazeta “Zëri”.

Ndërkohë gjatë një tubimi të mbajtur në Prizren lideri i LVV-së u zotua për investim në shëndetësi e në sektorë të tjerë. “Erdhi dita që të investojmë në edukim e në shëndetësi, të forcojmë edhe policinë e ushtrinë, ta çlirojmë energjinë, bujqësinë e industrinë, erdhi dita ta heqim krimin e korrupsionin e të sjellim shtetin e së drejtës”, theksoi ai.

Haradinaj: Bashkë në epopetë e luftës, bashkë për t’i shërbyer vendit

Edhe kandidati për kryeministër nga radhët e koalicionit AAK – PSD, Ramush Haradinaj, ka inkuadruar temën e luftës në deklarimet e tij gjatë e djeshme. “Drenica është treguesi më i mirë i drejtimit që ka marrë vendi. Bashkë në epopetë e luftës çlirimtare dhe shtetkrijim, të bashkuar në themelimin e ushtrisë sonë, në mbrojtje të ‘Trepçës’ dhe të tregut tonë, sot në Drenicën e Adem Jasharit sërish në të njëjtin rresht për t’i shërbyer me besnikëri vendit. Drenasi i tha po qëllimit suprem – Kosovës 100% shtet”, deklaroi dje Haradinaj.

Ndërkohë në tubimin e mbajtur të mërkurën në Prizren kreu i AAK-së tha se qeveria e kaluar, e udhëhequr nga ai, ua ka kthyer besimin qytetarëve. “Ne e kemi kthyer besimin në vend për temat më të zorshme të mundshme që i ka pasur Kosova, e kemi mbrojtur Kosovën nga ndarja, e kemi kthyer të drejtën tonë në ‘Trepçë’”, shtoi ai.

Limaj: S’hoqëm dorë nga vendi as atëherë kur i pamë shokët duke u vrarë

Kandidati i koalicionit Nisma – AKR – PD, Fatmir Limaj, ka rikthyer imazhet e luftës në tubimin e mbajtur dje në Prishtinë. Pjesën dërrmuese të fjalimit të tij Limaj ia kushtoi pikërisht kësaj periudhe. “Ne nuk hoqëm dorë kurrë nga vendi ynë, as atëherë kur dhuna ishte kthyer në përditshmëri në rrugët e Prishtinës. Ne asnjëherë nuk hoqëm dorë nga Kosova”, u shpreh Limaj.

Gjatë asaj periudhe, siç kreu i Nismës u shpreh, djemtë dhe vajzat e Kosovës u kthyen të bashkuar me projektin e UÇK-së. “Ne u lidhëm edhe më tepër për vendin tonë. Atëherë s’kishte ëndërr tjetër përpos ëndrrës për mbijetesë. Në atë kohë kur kishte filluar projekti i shfarosjes fizike të kombit tonë djemtë e vajzat e Kosovës të udhëhequr nga intelektualët e Kosovës u kthyen si fuqi me bashkim të atij projekti madhor, që u udhëhoq nga UÇK-ja dhe ai projekt solli lirinë në Kosovë”, nënvizoi Limaj.

Ai tutje tha se nuk pati zmbrapsje as atëherë kur familjarët e shokët vriteshin në luftë. “Ne nuk hoqëm dorë as kur i pamë shokët tanë duke u vrarë, as kur i pamë familjarët tanë të përgjakur. Nuk hoqëm dorë as kur i lamë fëmijët tanë. Janë qindra që unë i kam njohur e nuk janë më në mesin tonë”, vazhdoi Limaj.

Të ngjashme