Strategjia nacionale kundër narkotikëve rishikohet vitin e ardhshëm

Prishtinë | 30 Gus 2016 | 16:10 | Nga

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Nehat Mustafa, njëherit koordinator nacional i Strategjisë Kundër Narkotikeve, ka takuar drejtuesit e Organizatës Joqeveritare “DIOGENIS” (Drug Policy Dialogue in South East Europe).

Në këtë takim morën pjesë zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Policisë së Kosovës,  Ministrisë së Shëndetësisë, përfaqësues të OJQ-ve në Kosovë etj.

Zëvendësministri Mustafa e njoftoi delegacionin se Republika e Kosovës ka të hartuar Strategjinë Nacionale kundër Narkotikeve 2012-2017, e cila vitin e ardhshëm do të rishikohet.

“Kjo Strategjia ka tri fusha kryesore: zvogëlimi i kërkesës, zvogëlimi i ofertës dhe trajtimi me të cilat institucionet e Kosovës janë duke u marr shumë seriozisht”.

Po ashtu zëvendësministri Mustafa e njoftoi delegacionin se është duke u përgatitur një fushatë e madhe vetëdijesuese kundër përdorimit, apo keqpërdorimit të narkotikeve.

“Në aspektin e bashkëpunimit ndërkombëtar Republika e Kosovës ka një bashkëpunim shumë të mirë me shtetet e rajonit dhe më gjerë, në luftën kundër narkotikëve, po ashtu, ka bashkëpunim ndërinstitucional edhe me OJQ-të”, theksoi Mustafa.

Ai tha po ashtu se gjatë vitit 2016 kanë vizituar çdo institucion që është pjesë e Strategjisë kundër Narkotikeve. “Edhe pse Republika e Kosovës nuk është pjesë e EMCDDA, ne bashkëpunojmë dhe raportojmë në mënyrë të rregullt”.

Ndërsa drejtori ekzekutiv i organizatës “DIOGENIS”, Thanasis Apostolou tha se është i befasuar me pritjen që i është bërë delegacionit në krahasim me vendet tjera që i kanë vizituar. Ai tha se ideja dhe qëllimi i kësaj Organizate është fuqizimi i OJQ-ve dhe shoqërisë civile në luftën kundër narkotikeve.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme