Dega e PDK-së në Prizren ka njoftuar për përgatitjet në kuadër të procesit të brendshëm zgjedhor në parti.
Përmes një komunikate për medie, Komisioni Lokal Zgjedhor i PDK-së në këtë komunë thotë se është thellësisht e angazhuar, që duke krijuar energji të reja në radhët e saja, të arrijë rezultate sa më të mira në aspektin organizativ dhe politik në degën në Prizren, transmeton Ekonomia Online.
“Zgjedhjet e brendshme në Partinë Demokratike të Kosovës kanë filluar. Këto zgjedhje në Partinë Demokratike të Kosovës, janë të një rëndësie të veçantë, për mundësinë që na japin ta fuqizojmë strukturën organizative dhe të krijojmë hapësirë për persona që dëshirojnë t’i bashkëngjiten Dekadës së Re dhe vizionit të lidershipit të Partisë Demokratike të Kosovës, në krye me kryetarin e saj Kadri Veselin”.
Sipas komunikatës, me qëllim të organizimit sa më të mirë të këtij procesi zgjedhor në frymën gjithëpërfshirëse dhe funksionalizimit sa më të mirë të nëndegëve, Komisioni Lokal Zgjedhor dhe Grupi Strategjik i degës së PDK-së në Prizren, ka filluar takimet përgatitore me nëndegët e PDK-së në rajonin e Prizrenit.
“Kryetarët e nëndegëve pjesëmarrës në këto takime pregaditore, po tregojnë gatishmëri dhe vullnet të pa thyeshëm që të jenë pjesë e pandashme e organizimit dhe mobilizimit të të gjitha strukturave aktive në këtë proces zgjedhor në të cilën ka hyrë Partia Demokratike e Kosovës”.
“Aktivizimi dhe përkushtimi i strukturave të deritanishme të Partisë Demokratike të Kosovës në Degën e Prizrenit, është dëshmia më e qartë që PDK është forca e vetme politike e organizuar mirë, dhe e cila promovon dhe garanton transparencën, gjithë përfshirjen dhe avancon demokracinë e brendshme, si kusht i vetëm themelor për demokratizimin e shoqërisë sonë, rrjedhimisht edhe Partisë Demokratike si forca e vetme që duhet ta qeverisë vendin në të gjitha nivelet”, thuhet në komunikatë.