Studentë e përkrahës të VV-së marshojnë kundër Asociacionit: Rrezik të shndërrohet në shtet brenda shtetit

Prishtinë | 15 Shk 2023 | 17:17 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Organizata studentore e përkrahës të Vetëvendosjes kanë protestuar të mërkurën kundër formimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, kërkesë kjo që i bëhet kryeministrit Albin Kurti nga ShBA-ja e shtetet kryesore të BE-së.

Protesta është thirrur nga Parlamenti i Studentëve të Universitetit të Prishtinës, pjesë e të cilit është organizata “Studim, Kritikë, Veprim” (celulë e Vetëvendosjes), ndërsa atyre u janë bashkëngjitur dhe disa deputetë të Vetëvendosjes e figura publike, të njohura për mbështetjen e partisë, e cila e ka pushtetin.

Alba Lala, nënkryetare e Parlamenti Studentor, tha se formimi i Asociacionit njëetnik është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës. Sipas saj, Asociacioni ka rrezik të shndërrohet në shtet brenda shtetit.

“Ky Asociacion njëetnik është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës sonë, ky Asociacion nuk avancon të drejtat e serbëve por i instrumentalizon ata dhe avancon Serbinë në Kosovë, e si rrjedhojë e se cilës pashmangshëm krijohet destabilitet. E kaluara në vendet e rajonit na ka dëshmuar që Asociacioni njëetnik ka rrezik të shndërrohet në shtet brenda shtetit, thellon ndarjen etnike, nxit më shumë përçarje”, tha Lala.

Bleron Beka, nënkryetar i Parlamentit Studentor, tha se Asociacioni nuk është dhe nuk do të jetë asnjëherë vullnet i popullit të Kosovës.

“Asociacioni i Komunave me Shumicë SAerbe është arsyeja e tubimit e marshimit tonë sot, në 53-vjetorin e UP-së, 2 ditë para përvjetorit të 15-të të pavarësisë; në kujtim të kontributit të qytetarëve studentëve para luftës së fundit, në kujtim të  heronjve të luftës, e kontributdhënësve të pasluftës”.

“Kosova është shtet demokratik dhe si i tillë është vullneti i popullit ai i cili e përcakton fatin e shtetit, andaj Asociacioni nuk është dhe asnjëherë nuk do të jetë vullnet i popullit të Republikës së Kosovës. Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe nuk do të thotë me shumë të drejta për komunitetin serb por në realitet qëllim parësor ka të shtrojë më shumë ndikim të Serbisë në Kosovë. Shteti jonë multietnik nuk toleron Asociacion monoetnik”, tha Beka.

Krahas studentëve, në protestë janë parë edhe deputetë të Kuvendit, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Avni Dehari, Salih Zyba e Armend Muja; ish-kryetari i Mitrovicës, po nga VV-ja, Agim Bahtiri etj. Po ashtu, pjesë e protestës ishin dhe përkrahësit e VV-së, avokati Tomë Gashi, analisti Sadri Ramabaja, aktivisti i shoqërisë civile, Rron Gjinovci e qytetarë të tjerë.

Në këtë protestë dominonin flamujtë kombëtarë, një gjë tipike për protestat e Vetëvendosjes.

Organizatorët nuk e thanë qartë, por protesta e sotme ishte thirrur në përkrahje të kryeministrit Albin Kurti, i cili është vënë nën “saçin” ndërkombëtar për të formuar sa më shpejt, dhe pa kushte, Asociacionin.

Pikërisht sot, sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken, paralajmëroi udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë se do të “bëjnë kompromise të vështira” për të normalizuar marrëdhëniet.

“Faleminderit për ndihmën tuaj, mos na lini tash”, shkruante në njërën nga pankartat në anglisht, me ngjyrat e flamurit amerikan.

Të ngjashme