Studentët nga Universiteti “Luiss” në Romë dhe studentët e Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, kanë vënë kontakte bashkëpunimi me qëllim që në të ardhmen të bëhen pjesë e ndonjë projekti të përbashkët.
Kjo është mundësuar gjatë një vizite që rreth 20 studentë nga Roma kanë realizuar në Universitetin “Isa Boletini”, ku pos me studentë janë takuar me rektorin, Alush Musaj.
Rektori Musaj, i njoftoi ata me historikun e Universitetit “Isa Boletini”, me të arriturat dhe sfidat që është përballur gjatë këtyre viteve.
Ai tha se Universiteti është i ri, mirëpo tradita akademike në Mitrovicë është e gjatë, gjë që ka bërë që ky universitet të konsolidohet për një kohë të shkurtër.
Gjithashtu rektori ka folur edhe për programet dhe mundësitë që ofron Universiteti “Isa Boletini” si dhe për bashkëpunimin ndërkombëtar.
“Kemi krijuar një përvojë shumë të mirë të bashkëpunimit me universitete të ndryshme prestigjioze nëpër botë, me çka janë ofruar mundësi të mëdha për studentët dhe mësimdhënësit tanë që të përfitojnë nga përvojat dhe poashtu të bëhen pjesë e projekteve të ndryshme shkencore”.
Në këtë kuadër, ai shprehu vullnetin për të thelluar bashkëpunimin edhe me Universitetin “Luiss” nga Roma.
Rektori Musaj, theksoi se vënia e kontakteve dhe bashkëpunimit ndërmjet studentëve të të dy universiteteve, është një mënyrë shumë e mirë që mund të jetë produktive për të dyja palët.
Vullnetin e mirë për bashkëpunim e ka shprehur edhe Alban Fazliu, në emër të studentëve të Universitetit “Isa Boletini”.
Ai ka falënderuar studentët italianë për vizitën dhe mundësinë e ofruar për njohje dhe shkëmbin përvojash.
Studentët nga Italia pas takimeve në Universitetin “Isa Boletini”, kanë vizituar edhe Muzeun e Kristaleve në Trepçë, Urën e Ibrit në Mitrovicë si dhe Kompleksin Përkujtimor “Adem Jashari” në Prekaz.