Studentë të varfër, pedagogë edhe më të varfër

Prishtinë | 19 Jan 2019 | 23:39 | Nga Artan Fuga

Koncepti i varfërisë është shumë i gjerë dhe i ndërlikuar. Unë nuk do të merrem me të. As me varfërimin e kapitalit social të pedagogut të universiteteve në Shqipëri. As me varfërimin moral dhe as me degradimin e statusit të tij social, apo me varfërinë absolute dhe relative të intelektualëve shqiptarë përballë ta zemë rregjimenteve të politikanëve lokalë dhe qendrorë, deputetëve, apo të tjerëve.

As me të ardhurat e ndonjë pedagogu të korruptuar që duhet marrë për zverku dhe hedhur te ish terrenet sportive të universitetetit të Tiranës që i ka grabitur në përdorim Bashkia Tiranë.

Unë do të bëj disa llogari fare të thjeshta.

Ndërkohë i duhet një infrastrukturë informatike dhe në teknologjinë e informacionit, meqë universitetet shqiptare nuk i ofrojnë asgjë pedagogut në këtë drejtim. Sikur një kompjuter në pesë vjetë të blejë, i duhen gjatë karrierës të tij të ndërrojë 7 kompjutera minimalisht. Sikur me cilësi mesatare të jenë këta bëjnë nja 4000 euro. Po i duhet edhe një tabletë në cdo pesë vjet sepse pa të nuk ka ku lexon e-libra. Pra, i shtojmë dhe nja 1500 euro të tjera minimalisht.

Telefonin po e lemë mënjanë sepse po e konsiderojmë që pa të mund të bëhet profesionalisht. Po e quajmë mjet personal konsum vetjak.

Por, nja 5 kompjutera të lëvizshëm i duhen sepse ku do t’a bëjë kërkimin shkencor në terren? Ja po themi edhe 3000 euro të tjera.

Fusim edhe 200 euro në vit për lidhje Interneti në shtëpi, jep 6000 euro për tridhjet vjet pune.

E mbyllim këtu kapitullin e sigurimit të infrastrukturës. Nuk po flasim se i duhet të blejë stilografe, stilokalema, lapse, fletë A4, retroprojektorë, etj. I harrojmë të gjitha.

Mirëpo i duhen edhe libra, përndryshe nuk është pedagog, por mbetet nallban.

Nga vëzhgimet që kam bërë në shtëpitë e miqve të mi pedagogë, konstatoj se në fund të karrierës një pedagogu i duhet të paktën të ketë në shtëpi nja pesëqind libra të huaj shkencorë ose të formimimit të përgjithshëm. Le të thotë çfarë të dojë Qenan K. Por, një libër i huaj me një farë vlere nuk vlen sot në tregun botëror më pak se 30 euro. Përndryshe më mirë shkoni bleni libra në trotuar. Por kjo bibliotekë e domosdoshme deri në fund të karrierës kërkon pra 15.000 euro përndryshe pedagogu do t’u tregojë studentëve përralla me mbret.

Nuk po fusim këtu revistat ku duhet të abonohet që mund të shkojnë në shpenzime me mijra euro.

I lemë këto!

Ndërkaq poqese do të ishim vërtet të kursyer si gjirokastritë, thotë Qenan K., atëhere do të duhej të thoshim se pedagogu duhet të paktën dy herë në vit të shkojë në një konferencë shkencore. E kush i jep lekë për këtë? I duhet t’a mbulojë vetë këtë shpenzim. Përndryshe i mbetet të bisedojë me çunat te birraria e lagjes! – pretendon Qenan K.

Kështu po themi se gjatë karrierës të ketë mundësi për nja 50 vizita në vende perëndimore. Sikur vetëm 500 euro t’a marrim shpenzimin për cdo udhëtim pjesëmarrje në konferencë, kjo na jep 25.000 euro. Këtu nuk po fusim fare udhëtime për të parë të paktën muzetë kryesorë të Europës, galeritë kryesore të arteve, bibliotekat kryesore. Lëri këto, harrojini! Po e marrim se pedagogu ynë është elifimatrak në formimin e vet kulturor.

Por, shpenzimet nuk mbeten me kaq. I duhet të botojë tekste dhe monografi se përndryshe nuk bën dot hap në karrierë. Lërini paratë që paguhen për të botuar në revistat open access! Por merrni vetëm librat dhe tekstet botuar në Shqipëri që duhet t’i mbulojë me shpenzimet e veta. Po marrim se botimi i një libri kushton 1 milion lekë të vjetra. Me cilësi ku thërret qameti. Ja ku duhen edhe nja 4 mijë euro për këtë punë përndryshe është njësoj sikur pedagogu të vriste veten!

Mos e zgjasim më tej. Pra, vetëm për të paguar shpenzimet që i duhen për veprimtaritë minimale profesionale llogariten së paku 60.000 euro përgjatë të gjithë karrierës të një pedagogu.

Dakord?

Pra, rreth 80 milionë lekë të vjetra. Poqese llogarisim një rrogë mujore mesatare pedagogu, sikurse është në Shqipëri, atëhere duhen midis 8 deri 10 vjet pune nga ana e tij vetëm për të mbuluar shpenzimet për të siguruar kushtet e punës minimale.

Poqese kjo llogari mbetet e vërtetë, atëhere del që afro një e katërta e karrierës të pedagogut i duhet për t’ja kushtuar sigurimit të mjeteve të ushtrimit të profesionit në nivel minimal.

Minatorit ja mbulon puna sigurimin e kushteve minimale! Edhe deputetit. Edhe nëpunësit. Po pedagogut? Askush. Një të katërtën e jetës së tij profesionale duhet t’ja kushtojë sigurimit të kushteve të punës.

Kuptohet. Gjatë këtyre 8 ose 10 vjetëve pedagogu shqiptar nuk duhet as të hajë, as të pijë, as të vishet, as të shkojë me pushime, as të lindi fëmijë, as të qethet e të rruhet, as të lahet a të blejë qoftë edhe një pirun!

Cfarë duhet të bëjë në këto kushte pedagogu?

Njera nga këto mundësi minimalisht:

  1. Të mbylli gojën dhe të qendrojë si budalla duke iu nënshtruar fatit të tij.
  2. Të pranojë të mbetet një mediokër dhe të marrë më qafë studentët e tij.
  3. Të bëhet murg, kallogre, dhe të mos martohet, të mos blejë shtëpi, por të mbyllet në një manastir duke u ushqyer me pak kore buke dhe pak verë të kuqe.
  4. Të martohet me ndonjë pasanike ose pasanik ose të ketë mundësi të trashëgojë nga gjyshërit ndonjë qyp me florinj.
  5. Të merret me ndonjë veprimtari fitimprurëse që i sjell fitime duke e konsideruar punën e pedagogut thjesht si me u gjet Kola në punë!
  6. Të vjedhi
  7. Të bëjë korrupsion në kurriz të studentëve

Si zgjidhet ky problem që bazohet te konstatimi se kjo shoqëri e ka zhytur pedagogun në kushtet e skllavit dhe i kërkon performancën e Anjshtajnit?

Po, ka mundësi të zgjidhet.

Unë nuk kam ndërmend t’i shtjelloj këtu mundësitë sepse kërkon një kohë dhe përqasje serioze.

Pres të shoh nëse dikasteri do t’a pranojë këtë konstatim dhe do të vijë të pyesi:

Si i bëhet?

Por, ata që e kanë detyrë t’a mendojnë e ta vendosin në rrugën e zgjidhjes jo vetëm nuk e dinë si ta zgjidhin, por as duan t’a zgjidhin.

Përndryshe elita e pedagogëve shqiptarë do të ndriçonte mbi padijen që na sundon. Përndryshe do të kishim një brez të ri të ditur që do të kishte pyetje të parë: Tani, ku do të punojë unë me diplomën që kam?

Le të mbetemi këtu sa për sot: Pedagogun kjo shoqëri e ka skllavëruar, varfëruar, mjeruar! Eshtë një krim për kombin. Dhe pasi e ka zhytur në skllavëri, e bën dordolec duke hedhur kërcënime, fyerje, sharje mbi të që të mos ngrejë kurrë kokë!

Dhe deri diku ja ka dalë!

Të ngjashme