Studentët e UP-së vizituan Ministrinë e Financave

Prishtinë | 30 Mar 2017 | 17:33 | Nga

Ministri Financave Avdullah Hoti priti sot në takim studentët e degës së Ekonomisë të Universitetit Publik “Hasan Prishtina”, ku i informoi ata për zhvillimet dhe proceset nëpër të cilat po kalon Ministria e Financave.

Me këtë rast, Ministri Avdullah Hoti gjatë takimit me studentët theksoi se Ministria e Financave si promotor i zhvillimin ekonomik dhe financiar të vendit ka hartuar politika të cilat kanë ndikuar në zhvillime shumë të mira buxhetore.

“Tani më po ndihen efektet e pakos së parë fiskale e cila ka ndikuar dukshëm në zhvillimin e biznesit në vend, me theks të veçantë të prodhimtarisë. Në vazhdim të këtyre politikave zhvillimore dhe për të rrumbullakosur pothuajse në tërësi sektorin e tatimeve, Ministria e Financave është në finalizim të Pakos së dytë fiskale e cila do të përmirësoj edhe më tutje klimën e të bërit biznes në Kosovë”, tha ministri Hoti.

Ministri Avdullah Hoti bëri të ditur se reformat në fushën fiskale që ka ndërmarrë Qeveria e Kosovës në këto dy vitet e fundit, përveç që kanë krijuar një ambient dhe insentiva të mira për zhvillimin e biznesit, ato kanë ndikuar edhe në gjenerimin më të mirë të të hyrave.

“Falë këtyre reformave që janë ndërmarrë deri më tani, sipas Raportit të fundit të Bankës Botërore për vitin 2016 “Të bërit biznes” rangimi ndërkombëtar i Kosovës është përmirësuar për 70 pozita në tri vitet e fundit”, shtoi ministri Hoti.

Ministri Hoti i njoftoj studentët edhe për Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve, Buxhetin e Kosovës, Borxhin publik, për rrjedhën e të hyrave dhe shpenzimeve buxhetore, si dhe për anëtarësimin Kosovë në Institucionet Financiare Ndërkombëtare.

Ai gjithashtu bëri të ditur se kërkesat e organizatave buxhetore vetëm për këtë vit në total kanë qenë katër miliardë euro, ndërsa buxheti është planifikuar të jetë mbi 2 miliardë, kështu që ne si Ministri e Financave në bashkëpunim edhe me organizatat buxhetore kemi bërë harmonizimin e kërkesave të tyre ku prioritet iu është dhënë fushave me rëndësi të veçantë të këtyre organizatave buxhetore.

Ndërsa, studentet e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” duke falënderuar Ministrin Hoti për pritjen theksuan se vizitat si kjo janë shumë të rëndësishme për ta, për shkak se ndikojnë në pasurimin e dijes së tyre rreth institucioneve të shtetit të Kosovës e në veçanti të Ministrisë së Financave, e cila mund të jetë një ndër vendet ku ata dëshirojnë të punojnë në të ardhmen.

Sipas tyre Ministria e Financave është një ndër institucionet më të rëndësishme dhe më efikase në punën e Qeverisë së Republikës së Kosovës, e cila me politikat dhe punën e saj ka ndikuar në zhvillimin ekonomik të vendit dhe mirëqenien e qytetarëve të saj.

Ata gjithashtu e vlerësuan lartë iniciativën e Ministrit Hoti për punën praktike të studentëve të Universitetit të Prishtinës, ku përmes kësaj punë praktike studentët po aftësohen më shumë për tregun e punës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme