Lëvizja Studentore për Barazi–Studim Kritikë Veprim ka organizuar aksion simbolik, gjatë të cilit kanë shprehur kundërshti ndaj MAShT-it dhe Qeverisë për sistemin arsimor në Kosovë.
Studenti, Vesel Kuçi ka thënë se viti që po lëmë pas është karakterizuar me shumë të meta, ndërsa përmendi përjashtimin në EQAR, punësimet familjare, seksizmin, plagjiaturën e të tjera.
Ai ka ftuar qytetarët që të mos qëndrojnë indiferentë ndaj shtypjeve e abuzimeve të pushtetarëve kundrejt tyre.
“2018 ishte vit i ngjarjeve të mëdha”, kështu do të parapëlqenin të thonin disa politikanë të cilët edhe dështimet shpesh i proklamojnë si arritje, madje edhe historike. Por ky ishte vit i ngjarjeve të mëdha të dështuara të Republikës sonë. Vit i tradhtisë kombëtare dhe i tradhtisë së vullnetit qytetar. Tradhti ndaj idesë për ngritje dhe zhvillim, për barazi sociale e drejtësi, për arsim cilësor e punësim, për mirëqenie qytetare. Vit i disfatave, i izolimit, i koncesioneve, kryekëput vit i dështimeve. Të izoluar, të dhunuar, të shtypur e të varfëruar. Kështu karakterizohet viti 2018”, tha Kuçi.
Ai ka akuzuar se në ministrinë e Arsimit dhe në shkolla e universitete publike punësimet partiake dhe familjare arrijnë shifra rekorde.
“Nisma e këtij viti në MAShT po lëshon rrënjë thellë. Jo pse ishte një nismë e drejtë dhe e avancuar, por se erdhi një nismë si parti politike për tu rehatuar e korruptuar. Punësime partiake e familjare gjithandej ministrisë si dhe ne shkolla e universitete publike që arrijnë shifër rekord për vitet e fundit”, tha ai.
Përjashtimin nga EQAR, kjo organizatë e quajtën dështim tjetër të qeverisë.
“Në universitet avancohen asistentë, ish studentë të korruptuar e të dënuar. Në vend se të krijohen komisione hetimore për keqpërdorime të detyrave zyrtare nga zyrtarë e ish-zyrtarë të Universitetit, për të gjitha dëmet e shumë shkaktuara ndër vite këtij institucioni. Seksizmi në universitet vazhdon ekzistencën e vet, e për të flitet vetëm kur të ketë shpërthyer ndonjë lajm bombastik sa për të shpërqendruar vëmendje dhe jo aq për të vetëdijesuar dikë”, tha Kuçi.
Sipas tij, ngritja akademike vazhdon me plagjiaturë.
“Ngritja akademike vazhdon me plagjiaturë. Profesorë e asistentë shumë prej tyre nuk arsyetojnë titujt akademikë. Ndërhyrjet direkte të pushtetit në universitet në veçanti përmes këshillit drejtues e anëtarëve arrogant të tyre, po ngulfasin autonominë e saj. Përmes shantazheve e favoreve vazhdojnë dallavere e keqpërdorime të përditshme në universitetet vazhdojnë të prodhojnë injorancë”, tha Kuçi.