Ndërsa studentët prej ditësh vijojnë protestën e tyre, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, reagoi këtë të diel, duke kërkuar dialog me ta.
Por teksa studentët refuzuan çdo negociatë, kreu i qeverisë përsërit sërish mëngjesin e sotëm ftesën për komunikim live në rrjetin social Facebook.
“Me rikujtesën për komunikimin e hapur, LIVE, sot në 11.00 në këtë faqe, me studentë a pedagogë të interesuar për të dialoguar mbi Universitetin, ju uroj një javë të mbarë”, shkruan Rama.
Sakaq nëpërmjet një komunikate për mediat, Lëvizjes për Universitetin, deklaroi se dje se qeveria është në panik nga vrulli i ortekut studentor.
“Në panik nga vrulli i ortekut studentor, qeveria kërkon ta kthejë shënjestrën te burokratët dhe pedagogët e korruptuar. Si aktivistë të Lëvizjes Për Universitetin i kemi goditur këta të fundit në çdo rast. Por deri më sot abuzimet e tyre kanë qenë të pandëshkuara pikërisht prej mburojës që kanë gjetur te qeveria dhe strukturat e saj”, thuhet në komunikatë.
Të rinjtë shprehen më tej se “ligji i arsimit të lartë ka vdekur dhe se Universitetet kanë nevojë të rithemelohen nga trupa e universitarëve, studentë e pedagogë- pa ndërhyrjen e qeverisë në asnjë fazë të procesit”.
Më tej thuhet se protesta e studentëve është autentike pikërisht se askush nuk ka tagrin t’i përfaqësojë.
Kërkesat e studentëve:
1- Përgjysmim i tarifës së studimit
2- Rritja nga 10% në 50% e peshës totale të votës së studentëve për të zgjedhur kandidatët për dekan/rekrut dhe pritja e përfaqësisë së studentëve në senatin akademik me 20%.
3- Mbështetur në nenin 99, mbi Këshillat Studentore, Ligji i Arsimit të Lartë, pika 2 kërkon që bordi i Administrimit të IAL-ve të ketë numër të barabartë votash nga Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe IAL-ve dhe të shtohet një përfaqësues në këtë bord nga studentët
4- Mbështetje e studentëve për kërkim shkencor
5- Mbështetje e studentëve të doktoraturës me fonde për kërkimin shkencor
6- Përmirësimi i kushteve të konvikteve të universiteteve
7- Dyfishim i buxhetit për arsimin e lartë
8- Pajisja e të gjithë studentëve me kartën e studentit brenda vitit akademik 2018-2019.