Studenti i drejtimit Shkenca Kompjuterike dhe Inxhinieri në UBT, Shkumbin Shala, është një nga studentët që fituan çmim në kuadër të aktivitetit për siguri kibernetike “Hack Day Albania 2016”, që i zhvilloi punimet në Tiranë të Shqipërisë.
Pjesë e rëndësishme e këtij aktiviteti ishte edhe UBT, që njihet si një nga institucionet më të rëndësishme në fushën e shkencave kompjuterike nërajon, me një aktivitet të ngjeshur edhe ndërkombëtar në këtë fushë.
Përfaqësuesit e UBT-CERT, një institucion i krijuar nga UBT dhe që zhvillon aktivitetet e veta hulumtuese në këtë fushë, dhanë një kontribut të çmuar në paraqitjen e aktiviteteve, por edhe në debatet në fushën e sigurisë kibernetike në kuadër të “Hack Day Albania 2016”.
Në konferencë mori pjesë edhe rektori i UBT-së, prof. Dr. Edmond Hajrizi. Në një paraqitje para studentëve, ai theksoi faktin se UBT, në 15 vitet e punës së tij, ka një përvojë shumë të madhe, por edhe një fokus të theksuar në shkenca kompjuterike e në inxhinieri.
Sipas tij, UBT, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, ka specifikuar sigurinë kibernetike si një nga temat më të rëndësishme të kohës moderne, ndaj edhe ka shtuar aktivitetet dhe hulumtimet në këtë fushë.
“Shihet edhe nga statistikat, se bizneset kanë humbje të mëdha në relacion me mosaftësimin për të marrë masa parandaluese ndaj rreziqeve, që paraqiten në pjesën e informacioneve të privatësisë e kështu me radhë”, ka theksuar ndër të tjera dr. Hajrizi.
Pas aktiviteteve dyditore të konferencës “Hack Day Albania 2016”, që sivjet kishte vitin e dytë të organizimit, Ministrja e Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike të Shqipërisë, znj. Milena Harito, ka dhënë çmimet për fituesit e shpallur në “Hack Day Albania 2016”.
I pranishëm në ceremoninë e dhënies së çmimeve ishte edhe udhëheqësi i UBT-CERT, z. Atdhe Buja.
Pjesëmarrës në konferencë ishin edhe shumë të rinj nga Kosova, që kishin aplikuar me të arriturat e tyre për përballje me sfida të sigurisë kibernetike.
Në garën e këtij viti morën pjesë 25 pjesëmarrës, të cilët për 10 orë me radhë kanë tentuar të thyejnë sigurinë e një aplikacioni test, të përgatitur posaçërisht nga ALCIRT. Pjesa më e madhe e të rinjve pjesëmarrës arriti të identifikonte pikat e dobëta të aplikacionit. Gjetjet e dobësive u paraqitën në një raport, i cili iu dorëzua jurisë për vlerësim.
Në përmbyllje u dhanë çmimet:
Çmimi i parë – Erlind Cekaj; Trajnim dhe Certifikim Penetration Test, ofruar nga “IkubInfo”; Çmimi i dytë – Florian Kunushevci dhe Shkumbin Shala; Abonim 12 mujor interneti nga “Albtelecom” dhe Program Student Membership ofruar nga “Vodafone”; Çmimi i tretë – Andi Rrahmani; Smart Watch nga “Dyqan Taxi”.