Hidroksiklorokina nuk i mbron njerëzit nga infektimi me koronavirus, në rast se kanë pasur kontakt të afërt me dikë që tanimë është i prekur nga virusi që e shkakton sëmundjen COVID-19, ka treguar një studim i fundit, shkruan Guardian.
Ilaçi antimalarie ka bërë bujë të madhe, pasi presidenti amerikan, Donald Trump, ka treguar se është duke përdorur nga një pilulë në ditë për t’u mbrojtur kundër koronavirusit, pasi, siç tha, është këshilluar kësisoj nga mjeku i tij.
Sidoqoftë, një studim i botuar në revistën shkencore “New England Journal of Medicine” ka sugjeruar se ilaçi nuk është më efektiv sesa efekti palcebo, në mbrojtjen e njerëzve të ekspozuar ndaj koronavirusit.
Testimi, i cili është kryer në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanada, ka përfshirë personat që ishin në rrezik mesatar, si dhe të lartë të prekjes nga virusi pandemik. Shumica e tyre konsideroheshin me rrezik të lartë, ngase kanë qëndruar në një distancë më afër se 2 metra nga personat e infektuar, për një afat kohor më të gjatë se 10 minuta, pa maska apo ndonjë pajisje tjetër mbrojtëse. Shpresa ishte se ilaçi mund të përdoret për të mbrojtur njerëzit, kur ndonjë anëtar i familjes së tyre ishte i infektuar.
Ky ishte një test rastësor i kontrolluar që i është nënshtruar të ashtuquajturit “standard i artë” dhe u ndërmor për të krahasuar ato që ndodhin me njerëzit që e marrin hidroksiklorokinën brenda katër ditëve nga ekspozimi dhe ata që në vend të kësaj iu nënshtruan efektit placebo.
Studiuesit regjistruan 821 të rritur dhe të shëndetshëm me një moshë mesatare 40-vjeçar, të cilët nuk kishin simptoma në atë kohë. Brenda katër ditësh pas ekspozimit, njërit grup prej tyre iu dërguan me postë pilula që e stimulojnë efektin placebo, ndërsa tjetrit hidroksiklorokina.
Ilaçet duhej të merreshin për pesë ditë rresht, duke filluar së pari me një dozë më të fortë, në ditën e parë.
Përafërsisht çdo i teti pjesëmarrës (107 nga 821) rezultuan me COVID-19 në periudhën pasuese 14-ditore. Të dy rastet e konfirmuara dhe ato të mundshme që nuk janë testuar, por janë testuar për simptoma, u përfshinë në studim për shkak të mungesës së testeve diagnostikuese në SHBA.
Në mesin e atyre që morën hidroksiklorokinën, 49 dolën me COVID-19 (ose simptoma përkuese, si ethet apo kolla), krahasuar me 58 në grupin që iu nënshtrua efektit placebo.