Studimi i QKSGJ-së, Demolli: Institucionet duhet të punojnë më shumë për mbrojtjen e fëmijëve

Prishtinë | 30 Sht 2026 | 11:19 | Nga Ekonomia Online

Normat tradicionale gjinore, dhuna dhe ngacmimet online, si dhe vështirësitë në raportimin e rasteve të dhunës ndaj fëmijëve, vazhdojnë të jenë shqetësime të pranishme në shoqërinë kosovare, raporton Ekonomia Online.

Këto çështje janë evidentuar në studimin “Pëlqimi dhe normat gjinore nga perspektiva e fëmijëve”, nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore (QKSGJ) i cili ka përfshirë 404 adoleshentë dhe adoleshente të moshës 16 deri në 18 vjeç.

Drejtoresha Ekzekutive e Qendrës Kosovare për Studime Gjinore, Luljeta Demolli, tha se gjetjet e hulumtimit tregojnë nevojën për angazhim më të madh institucional në mbrojtjen e fëmijëve, krijimin e mekanizmave më të sigurt të raportimit dhe edukimin e të rinjve për pëlqimin, barazinë gjinore dhe sigurinë në internet.

“Ky studim e ka ndërruar rendin e gjërave. Ua ka dhënë fjalën kryesore 404 adoleshentëve dhe adoleshenteve, mes 16 dhe 18 vjeç, për t’i kuptuar mendimet mbi gjininë, pëlqimin, sigurinë në internet, si dhe veprimet që bëjnë kur diçka u shkon keq. Ata na folën hapur. Dhe qëndrimet nuk paraqesin statistika të thjeshta. Janë udhërrëfyese. Detyra jonë është të përgjigjemi me veprime konkrete. Idetë e adoleshentëve janë tregues i qartë se shoqëria jonë është në tranzicion vleror” shtoi Demolli

Demolli theksoi se normat tradicionale gjinore vazhdojnë të jenë të pranishme, ndërsa të rinjtë njëkohësisht e njohin pabarazinë dhe kërkojnë më shumë barazi.

Demolli, ka thënë se idetë e adoleshentëve janë tregues i qartë se shoqëria kosovare është në tranzicion vlerash.

Ajo tha se hulumtimi ka treguar se normat e vjetra ende kanë prani të madhe në shoqërinë tonë.

“Shumë adoleshentë besojnë që burri duhet të jetë furnizuesi, ndërsa gruaja kujdestarja e shtëpisë. Babai e ka fjalën e fundit, djali duhet të jetë i fortë, kurse vajza e përmbajtur. Këto nuk janë opinione të rastësishme, janë mësime të cilat një shoqëri u jep fëmijëve që në ditët e para përmes familjes, shkollës, gjuhës dhe kulturës”, tha Demolli.

Ajo foli edhe për ngacmimet në internet, duke thënë se të anketuari kanë thënë se shpërndarja e fotografive pa pëlqim në internet ka marrë përmasa të mëdha në Kosovë.

Demolli, deklaroi se  bazuar në hulumtime dhe në bisedat me vajza të reja, duhet bërë më shumë që fëmijët, veçanërisht vajzat, të mos ndihen të penguara për të raportuar rastet e dhunës online.

“Mekanizmat raportues duhet të jenë super, super lehtësues për t’i adresuar sidomos dhunën në internet. Kjo nuk ndodh”, tha Demolli.

Sipas saj, edhe mënyra se si trajtohet roli i psikologut në shkolla mund të ndikojë në raportimin e rasteve.

Sipas Demollit, institucionet duhet të krijojnë mekanizma më të sigurt dhe konfidencialë për raportim, ndërsa edukimi për pëlqimin, barazinë gjinore dhe sigurinë digjitale duhet të jetë pjesë e rregullt e shkollimit.

Demolli shtoi tutje se shoqëria civile duhet t’i ketë në fokus vajzat dhe djemtë bashkë, pasi ndryshimi nuk ndërtohet vetëm nga njëra gjini.

Sipas saj,  duhet të punohet edhe me komunitetet që shpesh mbeten jashtë vëmendjes, përfshirë fshatrat e largëta, komunitetet pakicë dhe fëmijët me aftësi të kufizuara.

Ajo foli edhe për rolin e prindërve në krijimin e një mjedisi të sigurt për fëmijët.

“Prindërit duhet ta rikujtojnë që dritarja e parë e sigurisë ndodhet në shtëpi” u shpreh ajo.

Ndërsa, gjatë prezentimi të studimit u tha se adoleshentët e moshës 16 deri në 18 vjeç në Kosovë vazhdojnë të përballen me norma tradicionale gjinore, pritshmëri të ndryshme për vajzat dhe djemtë, si dhe me sfida në raportimin e dhunës dhe kërkimin e mbështetjes.

Sipas studimit, 77 për qind e djemve presin që të jenë ofruesit kryesorë financiarë të familjes, ndërsa 75 për qind presin të ndjekin arsimin e lartë dhe të ndërtojnë karrierë. 69 për qind presin të marrin drejtimin në marrëdhëniet romantike, ndërsa 64.8 për qind presin të kenë fjalën kryesore për vendimet e rëndësishme në familje.

Te vajzat, 80.3 për qind presin të jenë të mira në gatim, pastrim dhe punë të tjera të shtëpisë, ndërsa 78.1 për qind presin të ndjekin arsimin e lartë dhe të ndërtojnë karrierë. Po ashtu, 69.4 për qind presin të qëndrojnë në shtëpi gjatë mbrëmjeve në vend se të dalin me shoqërinë, ndërsa 68.5 për qind presin të mbeten të virgjëra deri në martesë.

Studimi evidenton se vajzat përballen me kufizime më të mëdha dhe me pritshmëri të dyfishta, duke u kërkuar njëkohësisht sukses në arsim dhe karrierë, si dhe përmbushjen e përgjegjësive tradicionale në familje.

Një tjetër gjetje lidhet me pëlqimin në marrëdhënie. Shumë adoleshentë kanë njohuri për pëlqimin, por vazhdojnë të ekzistojnë keqkuptime rreth heshtjes dhe refuzimit. Studimi thekson nevojën për edukim më të përshtatshëm për moshën mbi pëlqimin, marrëdhëniet e shëndetshme, barazinë gjinore dhe komunikimin me respekt.

Në familje, disa nga rregullat më të rëndësishme lidhen me oraret e kthimit në shtëpi, ndalimin për të dalë jashtë, vendndodhjen e të rinjve gjatë ditës, mënyrën e shprehjes së afeksionit dhe përdorimin e rrjeteve sociale.

Një tjetër shqetësim i evidentuar është ngacmimi online, i cili paraqitet me ndikim gjinor. Vajzat përballen me pasoja më të rënda që lidhen me reputacionin, ndërsa frika nga turpi, stigma dhe mungesa e besimit në mekanizmat e raportimit bëjnë që shumë raste të mos raportohen.

Studimi tregon se shumica e adoleshentëve i njohin shërbimet mbështetëse në shkolla, por shumë pak kanë folur individualisht me stafin mbështetës. Familja mbetet burimi i parë i ndihmës, ndërsa besimi dhe reagimi pa gjykim janë faktorë të rëndësishëm që ndikojnë në kërkimin e ndihmës.

Në rekomandimet për Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, shkollat dhe drejtoritë komunale të arsimit kërkohet integrimi i edukimit për barazinë gjinore, pëlqimin, marrëdhëniet e shëndetshme dhe sigurinë digjitale në kurrikulë. Po ashtu, rekomandohet forcimi i rolit të psikologëve shkollorë dhe krijimi i mekanizmave konfidencialë e të besueshëm të raportimit.

Për Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Policinë e Kosovës, rekomandohet forcimi i procedurave për trajtimin e dhunës online, rritja e ndërgjegjësimit për raportimin e krimit kibernetik dhe bashkëpunimi më i madh mes policisë, shkollave dhe shërbimeve për mbrojtjen e fëmijëve.

Ndërsa Qendrat për Punë Sociale rekomandohet të forcojnë shërbimet parandaluese për familjet, programet e prindërimit pozitiv dhe bashkëpunimin me shkollat, shërbimet shëndetësore, policinë dhe organizatat e shoqërisë civile.

Në përfundim, studimi thekson se vajzat dhe djemtë i njohin të njëjtat pabarazi, por nuk i përjetojnë dhe nuk i përballojnë ato në të njëjtën mënyrë. Për këtë arsye, rekomandohet që ndërhyrjet të marrin parasysh përvojat specifike të të dyja gjinive dhe të fokusohen në barazi gjinore, marrëdhënie respektuese, mbrojtje nga dhuna dhe krijimin e besimit te mekanizmat e mbështetjes dhe raportimit.

Të ngjashme