Të paktën 39 persona kanë humbur jetën si pasojë e përmbytjeve të shkaktuara nga stuhia tropikale Maysak në jug të Kinës, ndërsa shumica e viktimave u regjistruan pas çarjes së një dige që përmbyti qytetin Nanning.
Zëvendëskryetari i bashkisë së Nanningut, Ding Wei, njoftoi të enjten se numri i të vdekurve është rritur ndjeshëm, nga gjashtë që ishte raportuar më herët në 39. Sipas tij, vetëm nga shembja e digës në Nanning humbën jetën 26 persona, shkruan Aljazeera.
Reshjet rekord të shiut bënë që rezervuarët të tejmbusheshin, duke shkaktuar vërshime të fuqishme që përfshinë qytete dhe zona të banuara në rajonin Guangxi.
Autoritetet kanë evakuuar rreth 130 mijë banorë, ndërsa në operacionet e shpëtimit janë angazhuar mbi 8 mijë efektivë dhe rreth 5.700 varka. Gjithashtu po përdoren dronë për të lokalizuar dhe ndihmuar personat e bllokuar nga përmbytjet.
Qendra Kombëtare Meteorologjike e Kinës bëri të ditur se në jug të Guangxit kanë rënë nga 10 deri në 40 centimetra reshje, ndërsa në zonat më të goditura sasia e shiut ka kaluar 90 centimetra.
Ekipet e shpëtimit po përballen me rryma të forta dhe mbeturina të sjella nga përmbytjet, duke e bërë operacionin të vështirë.
Sipas autoriteteve lokale, niveli i ujit ka nisur të bjerë, megjithatë parashikimet meteorologjike paralajmërojnë reshje të tjera shiu në disa zona gjatë dy ditëve të ardhshme.