Zyrtarët e Komunës së Suharekës, të hënën, kanë njoftuar se ka filluar fushata e mbajtjes së ligjëratave në disa shkolla për vetëdijesimin e nxënësve ndaj thumbimeve të rriqrave dhe se si duhet të veprojnë në këto raste.
Mbajtja e këtyre ligjëratave, sipas tyre, po realizohet në shkollat e fshatrave që konsiderohen si zona endemike dhe janë pjesë e zbatimit të strategjisë nacionale për luftimin dhe parandalimin e Etheve Hemorragjike Krime Kongo(EHKK), shkruan sot “Koha Ditore”.
Zyra komunale për informim ka bërë të ditur se pas ligjëratave për vetëdijesimin kundër etheve hemorragjike do të fillojë edhe dezinsektimi i zonave endemike në Komunën e Suharekës.
“Në takimin e rregullt javor të Këshillit të drejtorëve komunalë, mes të tjerash, u tha se sot kanë filluar të mbahen ligjërata nëpër shkolla për vetëdijesimin e banorëve për ruajtje nga ethet hemorragjike. Ky aktivitet po mbahet nëpër fshatrat e Komunës së Suharekës, në vendet që llogariten të jenë zona endemike apo të rrezikuara. Pas ligjëratave do të bëhet edhe spërkatja e hapësirave në këto zona”, shkruan në njoftimin e ZI-së.