Në sesionin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së të mbajtur më 27 Shkurt 2017, dhe nën prezencën e diplomatëve më të lartë botëror, përfaqësuesi i Mbretërisë së Bashkuar në Këshillin e Sigurimit ka folur për suksesin e filmit “HOME” si një shembull për zhvillimin pozitiv dhe progresiv të shtetit të Kosovës.
“Unë do të doja të theksoj suksesin e filmit britaniko-kosovar ‘Home’, i cili fitoi çmimin për filmin më të mirë të shkurtër në Akademinë Britanike të Filmit Telivizionit dhe Artit (BAFTA), i pari për Kosovën. Pas nominimit të filmit ‘Shok’ në Oscar vitin e kaluar, është e qartë se sektori kulturor i Kosovës po forcohet nga viti në vit.”, tha Përfaqësuesi i Mbretërisë së Bashkuar në Këshillin e Sigurimit në OKB.
“Kjo është një përmendje domethënëse e filmit ‘HOME’ si një shembull i ndërtimit të urave përmes kulturës, i përkushtimit tonë për adresimin e çështjeve globale si dhe i vizionit tonë për shfrytëzimin e kulturës si ambasadori kryesor për prezantimin e vendit tonë në botë”, thuhet në njoftimin e DokuFestit.
“Përmendja e filmit ‘HOME’ si shembull i zhvillimit pozitiv të Kosovës në këtë sesion të OKB-së e përforcon imazhin e shtetit para diplomatëve dhe vendimmarrësve botëror, dhe njëkohësisht e sjell mesazhin e bashkëndjesisë me refugjatët nën vëmendjen e këtyre diplomatëve”, thuhet në njoftim.
“HOME” me skenar dhe regji të Daniel Mulloy, është bashkë-produksion i DokuFest, Somesuch dhe Black Sheep Studios me aktorët Jack O’Connel dhe Holliday Grainger në rolet kryesore. Filmi 20 minutësh është xhiruar në Kosovë dhe Britani të Madhe përmes bashkëpunimit të afërt të ekipeve nga këto dy vende me mbështetje nga Ekipi e Kombeve të Bashkuara në Kosovë dhe shumë përkrahës të tjerë. Filmi e thekson gjendjen e refugjatëve dhe dhunës me të cilën përballen miliona njerëz në të gjithë globin. Filmi i shkurtër ‘HOME’ është produksioni i parë kosovar që fiton çmimin prestigjioz BAFTA në kategorinë e filmave të shkurtër, dhe krahas regjisorit Daniel Mulloy dhe producentëve britanik Afolabi Kuti dhe Scott O’Donnell, trofeun BAFTA e mori edhe producenti kosovar Shpat Deda.