Sulme ajrore në Jemen, raportohet për 14 të vrarë

Prishtinë | 18 Jan 2022 | 09:37 | Nga Ekonomia Online

Një sulm ajror raportohet të ketë lënë të vrarë 14 persona në një ndërtesë në kryeqytetin e Jemenit, Sana, thanë banorët të martën, gjatë sulmeve të nisura nga koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite që lufton kundër rebelëve Houthi.

Sulmet ajrore në Sana erdhën pas një sulmi të hënën ndaj partnerit të koalicionit ushtarak, Emirateve të Bashkuara Arabe, në Abu Dabi, ku u vranë tre persona. Përgjegjësinë për këtë sulm e morën rebelët Houthi, të cilët besohet se janë të lidhur me Iranin.

Koalicioni ushtarak gjithashtu tha se të hënën pengoi tetë dronë, të cilët ishin lëshuar në drejt Arabisë Saudite, shkruan Reuters, përcjell Gazeta Express.

Sulmi në Sana, që sipas vlerësimeve fillestare la 14 të vdekur, ndodhi në shtëpinë e një ish-oficeri ushtarak. Një burim mjekësor dhe banorët i thanë agjencisë “Reuters” se të vrarë kanë mbetur ish-oficeri, gruaja e tij, i biri i tij 25-vjeçar, familjarë të tjerë dhe disa persona të paidentifikuar.

Foto: Reuters

Sipas zëvendësministrit të jashtë të administratës së grupit Houthi, që ka nën kontroll një pjesë të madhe të Jemenit verior, rreth 20 persona janë vrarë gjithsej nga sulmet e koalicionit në pjesë të ndryshme të qytetit.

Ndryshe, Emiratet e Bashkuara Arabe i kanë armatosur dhe trajnuar forcat jemenase që së fundi u janë bashkuar luftimeve kundër rebelëve Houthi në rajonet Shabwa dhe Marid.

Pas sulmit të së hënës në dy vende në Emiratet e Bashkuara, ky shtet tha se e rezervon të drejtën për t’iu kundërpërgjigjur “sulmeve terroriste dhe eskalimit kriminal”.

Të ngjashme