Të paktën 18 persona janë vrarë në jug të Libanit pas një serie sulmesh ajrore izraelite gjatë natës, ka njoftuar ministria e shëndetësisë e vendit, ndërsa ushtria izraelite thotë se janë vrarë edhe katër ushtarë të saj.
Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) deklaruan se kanë goditur militantë dhe infrastrukturë të lidhur me grupin e armatosur Hezbollah, i mbështetur nga Irani.
Ngjarjet vijnë një ditë pas nënshkrimit të një marrëveshjeje mes ShBA-së dhe Iranit që synon t’i japë fund konfliktit në Lindjen e Mesme, përfshirë edhe ndërprerjen e përhershme të luftimeve në Liban, shkruan BBC.
Megjithatë, si Izraeli ashtu edhe Hezbollah kanë vazhduar sulmet ndaj njëri-tjetrit pas shpalljes së marrëveshjes, duke ngritur pikëpyetje për të ardhmen e armëpushimit të dakorduar mes ShBA-së dhe Iranit.
Marrëveshja SHBA–Iran parashikon ndalimin e armiqësive në të gjitha frontet dhe respektimin e integritetit territorial dhe sovranitetit të Libanit.
Izraeli, ndërkohë, ka deklaruar se nuk ka ndërmend të tërheqë forcat e tij nga Libani dhe këmbëngul se konflikti me Hezbollahun është i ndarë nga lufta me Iranin.
Agjencia shtetërore e lajmeve e Libanit raportoi se bombardimet gjatë natës në rajonin Nabatieh në jug të vendit të enjten kanë qenë ndër më të rëndat e luftës, me të paktën 18 të vrarë, 33 të plagosur dhe disa ndërtesa të dëmtuara.
Nga ana tjetër, Hezbollah tha se ka zënë në pritë një grup izraelit në jug të Libanit, duke shkatërruar tre tanke me raketa të drejtuara dhe duke goditur trupat me zjarr raketash dhe artilerie.