Shtetet e Bashkuara kanë ndërmarrë një valë të re sulmesh ajrore kundër Iranit, që zgjati disa orë gjatë natës, duke goditur dhjetëra objektiva ushtarake.
Komanda Qendrore Amerikane (CENTCOM) ka bërë të ditur se operacioni u urdhërua nga presidenti Donald Trump me synimin për të dobësuar aftësinë e Iranit për të sulmuar anijet tregtare dhe civile që kalojnë në Ngushticën e Hormuzit.
Sipas CENTCOM, sulmet nisën të dielën në mbrëmje sipas orës amerikane dhe për herë të pare janë përdorur dronë sulmues ajrorë dhe detarë njëkahësh.
“Forcat e CENTCOM-it goditën për herë të parë sistemet ushtarake iraniane të mbrojtjes ajrore, vendet e radarëve bregdetarë, kapacitetet e raketave dhe dronëve, si dhe anije të vogla duke përdorur avionë luftarakë amerikanë, anije detare, dronë ajrorë sulmi njëkahësh dhe dronë detarë sulmi njëkahësh.”, thuhet në deklaratën e CENTCOM.
Sipas analistëve ushtarakë, këto mjete janë projektuar për të kryer sulme të sakta dhe janë të vështira për t’u neutralizuar, duke shënuar një fazë të re në përballjen ushtarake mes Uashingtonit dhe Teheranit.
Sa i përket dronëve detarë, SHBA ka eksperimentuar me disa lloje, sipas analistit Carl Schuster, një ish-drejtor i Qendrës së Përbashkët të Inteligjencës të Komandës së Paqësorit të SHBA-së.
“Më e përshtatshme për sulme njëkahëshe është anija sipërfaqësore pa pilot (USV) e klasit Fleet”, ka thënë Schuster për CNN.
Ndryshe, pas përfundimit të operacionit amerikan, Irani reagoi duke lëshuar dronë dhe raketa drejt bazave ushtarake amerikane në rajon, sipas Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC).
Si pasojë e alarmit, në Bahrein u aktivizuan sirenat e emergjencës, ndërsa autoritetet në Kuvajt njoftuan se po përballeshin me kërcënime ajrore. Ushtria jordaneze deklaroi se ka interceptuar katër raketa që kishin hyrë në hapësirën ajrore të vendit.
Përshkallëzimi i konfliktit ndikoi menjëherë edhe në tregjet ndërkombëtare të energjisë. Çmimi i naftës Brent u rrit me 3.92%, duke arritur në 78.99 dollarë për fuçi, ndërsa nafta amerikane WTI u ngjit me 3.44%, në 73.87 dollarë për fuçi.