Hetimin për sulmin në gjimnazin në Schongau, Gjermani, për të cilin dyshohet një shtetas kroat 16-vjeçar, e ka marrë përsipër Shërbimi bavarez për Luftimin e Terrorizmit dhe Ekstremizmit, u bë e ditur sot.
Sipas mediave kroate, kjo do të thotë se sulmi po trajtohet si një akt terrorist.
“Prokuroria e Përgjithshme e Munihut ka marrë përsipër hetimin për rastin e dy tentim-vrasjeve dhe shkaktimit të lëndimeve të rënda trupore”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Përgjithshme, e cila merr në trajtim rastet kur ekziston dyshimi për cenim të rendit kushtetues, raportojnë mediat kroate dhe ato gjermane.
Sipas mediave gjermane, ndërkohë janë gjetur disa tekste që dyshohet se janë shkruar nga i dyshuari, në të cilat lavdërohen autorët e mëparshëm të sulmeve të ngjashme dhe përhapet urrejtje ndaj pjesëtarëve të kombeve dhe feve të tjera.
Disa media raportojnë se në këto tekste përhapet urrejtje ndaj homoseksualëve, myslimanëve dhe veçanërisht grave.
Sipas agjencisë së lajmeve dpa, letra përmban ofendime kundër komuniteteve të ndryshme religjioze dhe grupeve të popullsisë. Por, ofendime në letër ai ka shprehur edhe ndaj personave nga ambienti i autorit, përfshirë edhe shokë e shoqe të klasës, sikurse edhe për mësuesit.
Autoritetet e kishin nën vëzhgim që vitin e kaluar
Shtetasi kroat 16-vjeçar, ish-nxënës i shkollës ku ndodhi sulmi, kishte qenë më parë në shënjestër të autoriteteve. Vitin e kaluar ai kishte kërcënuar për një sulm të ngjashëm, për çka ishte vënë nën vëzhgim nga institucionet kompetente.
Në sulmin në Schongau, i dyshuari 16-vjeçar plagosi me thikë rëndë dy vajza 13-vjeçare.
Në ditët pas sulmit, i cili ndodhi të mërkurën e kaluar, mediat gjermane raportuan gjithashtu se i dyshuari kishte lavdëruar sulme të mëparshme, si masakrën në një xhami në Zelandën e Re në vitin 2019.
Ishte i armatosur edhe me pistoletë
Policia njoftoi pas arrestimit se i dyshuari ishte i armatosur edhe me një pistoletë, të cilën e kishte fshehur gjatë sulmit. Sipas informacioneve të Ministrisë së Brendshme të Bavarisë, i dyshuari jetonte me prindërit e tij në jugperëndim të Munihut dhe më parë kishte qenë në trajtim psikiatrik.