Një mjet shpërthyes është hedhur sonte në Mitrovicën e Veriut në objektin e qeverisë së Kosovës, të përuruar dy javë më parë.
Lajmin e konfirmoi për Kallxo.com, zëvendës komandanti rajonal i policisë për veriun e Kosovës, Besim Hoti.
“Nga hedhja e një granate dore në veri të Mitrovicës janë dëmtuar xhamat e objektit qeveritar të Kosovës”, tha Hoti.
Burime nga policia sqarojnë se sulmi ka pasur cak Hotelin “Sasha”, më saktësisht objektet në katin e parë, të cilat i janë lëshuar me qira Qeverisë së Kosovës nga pronari serb. Sulmi besohet se ka qëllim frikësimin e pronarit, si dhe dështimin e shtrirjes së institucioneve kosovare në këtë pjesë.
Kjo është hera e dytë që ky objekt sulmohet. Ai ishte sulmuar edhe kur ishte përuruar, më 28 dhjetor 2016.
Në këtë objekt është paraparë t’i kenë zyrat 15 ministri dhe agjenci qendrore që kanë fushë veprimtari lokale si Ministria e Administratës Publike, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Ministria për Kthim dhe Komunitete, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Administrata Tatimore e Kosovës, Agjencia e Statistikave, Agjencia e Veterinës dhe Ushqimit, Agjencia për Mbrojtjen e Pyjeve, Agjencia Kadastrave, Agjencia e Arkivave, Agjencia e Shoqërisë së Informacionit dhe Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës. Gjithsejt do të punojnë 105 zyrtarë të punësuar në këto institucione.