Sadiku, koordinator për kthim/riintegrim në komunën e Mitrovicës, është kërcënuar dhe sulmuar fizikisht pa ndonjë arsye apo shkas në vendin e tij të punës ,në ndërtesën komunale, nga qytetari Nazmi Ismajli, nga Mitrovica, njofton Zyra për informim e kësaj komune.
Qytetari Nazmi Ismajli ishte kthyer më parë nga Danimarka, pasi që autoritetet e këtij shteti e kishin refuzuar kërkesën e tij për qëndrim atje (azil). Për këtë arsye Nazmiu ishte përfshirë në skemën e përfituesve për personat e riatdhesuar sipas Rregullores së Qeverisë së Republikës së Kosovës, Departamenti për persona të riatdhesuar, në kuadër të MPB-së.
Madje, Ismajli është i riatdhesuari që ka përfituar më së shumti nga skema e lartpërmendur, pasi që përveç ndihmave të parapara për ushqim, veshmbathje e të tjera, i është paguar qiraja për pesë vjet me radhë, ani pse Rregullorja e lartpërmendur nuk lejon që kjo mbështetje për të riatdhesuarit të jetë më e gjatë se një vit, sqaron njoftimi.
Mirëpo, kur Nazmiu është ftuar për të marrë vendimin mbi ndërprerjen e pagesës së qirasë, që e kishte marrë Komisioni komunal për riintegrim, për shkak se në rastin e tij ishte shkelur rregullorja e lartpërmendur, ai fillimisht e ka ofenduar dhe kërcënuar rëndë verbalisht koordinatorin Sadiku dhe më pastaj edhe e ka sulmuar fizikisht në zyrën e tij.
Sadiku rastin e ka paraqitur në stacionin jugor të policisë së Kosovës në Mitrovicë, e cila është duke i ndërmarrë procedurat e nevojshme ndaj qytetarit Nazmi Ismajli. Ky person tri javë më parë e kishte kërcënuar rëndë edhe zyrtarin e zyrtarin e MPB-së të këtij sektori, Fisnik Leku, i cili punon në të njëjtën zyrë me Sadikun.
Rastin e sulmit të zyrtarit komunal për kthim e riintegrim të qytetarëve, e ka dënuar ashpër kryetari i Komunës, Agim Bahtiri. Ai kërkon nga policia e Kosovës dhe organet e hetuesisë që të ndërmarrin masa të menjëhershme ligjore ndaj sulmuesit, në mënyrë që rastet e këtilla të mos përsëriten më.
Ndërkaq, nga zyrtarët komunal, kryetari Bahtiri kërkon që të mos dekurajohen nga veprimet e këtilla të papranueshme e të dënueshme të personave të papërgjegjshëm. Përkundrazi, ai nga shërbyesit civilë kërkon të punojnë edhe më me përkushtim për ofrimin e shërbimeve ndaj qytetarëve, gjithnjë duke e zbatuar ligjin dhe rregulloret përkatëse.