Sunny Hill Festival bëhet gati për hapësirën e re, edicioni i radhës në gusht 2024

Prishtinë | 31 Maj 2023 | 18:17 | Nga Ekonomia Online

Festivali më i madh në Kosovë ka sjellë disa nga emrat më të mëdhenj të muzikës botërore në Prishtinë, duke u bërë sensacion i medieve ndërkombëtare dhe shfaqjes në ballinat e medieve më të mëdha botërore për çdo edicion.

Sipas njoftimi të Sunny Hill, është duke u bërë gati hapësira e re e përhershme e festivalit në Bërnicë, e për këtë arsye sipas njoftimit thuhet se është marrë vendim për ta shtyrë edicionin e sivjetmë të Sunny Hill Festival deri në gusht të viti 2024, që t’i jepet kohë krijimit të hapësirës së re.

“Tash ka ardhur koha ta bëjmë një hap tjetër të madh përpara. Këtë vit, ne po bëjmë gati shtëpinë tonë të re, hapësirën e përhershme të festivalit në Bërnicë. Një vend i cili ua mundëson gjithë pjesëmarrësve ta marrin përvojën më të mirë që ata të gjithë e presin dhe meritojnë. Përjetimet e paharrueshme që i sjell Sunny Hill Festival janë më të rëndësishmet. E pjesëmarrësit në festival e meritojnë absolutisht më të mirën. Në të gjitha aspektet, përfshirë edhe hapësirën kushtuar festivalit, me infrastrukturën e plotë” thuhet në njoftimin e Sunny Hill Festival.

“Ne besojmë se nxitimi i procesit të punës do të zvogëlonte cilësinë dhe esencën e asaj që Sunny Hill Festival e përfaqëson. Duke qenë edhe vet fansa të muzikës dhe festivaleve, ne besojmë shumë në ofrimin e përvojës unike dhe të jashtëzakonshme që ne si festival duhet ta ofrojmë. Prandaj, kemi marrë vendimin e vështirë për ta shtyrë edicionin e sivjetmë të Sunny Hill Festival, që t’i japim kohë krijimit të hapësirës së re. Ruani datat për një edicion masiv të Sunny Hill Festival në fundjavën e parë të gushtit 2024” thuhet në njoftim.

Së fundmi, Sunny Hill është listuar si njëri ndër pesë festivalet më të mira të cilat nuk duhet humbur në Evropë.

Të ngjashme