Gjykata Supreme ka marr vendim për të lënë në fuqi pezullimin e Rregullores për organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës të Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar.
Kështu ka njoftuar sot avokati Ardian Bajraktari përmes një postimi në Facebook, i cili është përfaqësues i zyrtarëve të SHSKUK-së të cilët janë ankuar për këtë rregullore, shkruan Gazeta Shneta.
“Sot kam pranuar Aktvendimin e Gjykatës Supreme, përmes të cilit refuzohet si e pa bazuar kërkesa për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor, si mjet i jashtëzakonshëm juridik, i parashtruar nga i padituri Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK). SHSKUK kishte kundërshtuar aktvendimin e Gjykatës së Apelit – Departamenti për Çështje Administrative në Prishtinë, AA.r.573/2024, të datës 13.06.2024, ku kjo e fundit e pati refuzuar si të pa bazuar ankesën e SHSKUK-së për sa i takon shtyrjes së ekzekutimit të Rregullores me numër 1024 të datës 08.04.2024 për Organizimin e Brendshëm dhe Sistematizimin e Vendeve të Punës së SHSKUK-së”, ka deklaruar Bajraktari.
Ai ka thënë se është optimist se gjykata do ta rrëzojë në tërësi këtë rregullore.
“Ky vendim i Gjykatës Supreme, i ri konfirmon si të drejta dhe ligjërisht të bazuara vendimet e dy instancave tjera gjyqësore (Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës Themelore të Prishtinës), dhe se kjo rregullore nuk mund të zbatohet deri në përfundim të procesit gjyqësor. Natyrisht se kjo ka të bëjë me shtyrjen e zbatimit të kësaj rregulloreje, mirëpo unë jam optimist se i tillë do të jetë edhe epilogu përfundimtar i këtij procesi, për çka presim që sa më parë të fillojë procesi gjyqësor”, ka deklaruar Bajraktari.