Supremja konfirmon vendimin e KGJK-së për degradimin e gjykatëses Naime Krasniqi-Jashanica

Prishtinë | 09 Sht 2022 | 17:22 | Nga Ekonomia Online

Gjykata Supreme, më 22 gusht 2022, e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e gjykatëses Naime Krasniqi-Jashanica, kundër vendimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), për degradimin e saj të përhershëm në Departament të Përgjithshëm të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

“Betimi për Drejtësi” ekskluzivisht të martën raportoi për degradimin e gjykatëses, Krasniqi-Jashanica.

Ndryshe, KGJK më 28 korrik 2022 ka nxjerrë vendim për degradimin e përhershëm të gjyqtares Krasniqi- Jashanica, nga Departamenti i Krimeve të Rënda, në Departamentin e Përgjithshëm të Gjykatës Themelore në Prishtinë, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Sipas vendimit të lartcekur, KGJK në seancën për këshillim dhe votim, ka konstatuar se gjyqtarja Krasniqi -Jashanica si gjyqtare kujdestare me mosveprimin e saj brenda afatit ligjor për procedim të lëndës së procedurës paraprake, e që si pasojë e këtij mosveprimi në kohë nga ana e gjyqtares, ka rezultuar që i pandehuri të lirohet në procedurë të rregullt.

Kundër këtij vendimi, gjykatësja Krasniqi-Jashanica kishte parashtruar ankesë në Gjykatën Supreme, duke e atakuar vendimin për shkak të zbatimit të gabuar të ligjit, shkeljeve procedurale të përcaktuara me ligj dhe për shkak të gabimeve faktike evidente që kanë ndikuar në integritetin e procedurës.

Gjykatësja Krasniqi-Jashanica kishte propozuar që Supremja ankesën e saj ta aprovojë si të bazuar dhe ta ndryshojë vendimin KGJK-së, duke e liruar atë nga përgjegjësia disiplinore, ose të njëjtin vendim ta anulojë dhe ta kthejë në rishqyrtim, ose së paku ta ndryshojë vendimin për sanksionin disiplinor, duke i shqiptuar një masë më të butë disiplinore.

Me përgjigje në ankesë, KGJK ka propozuar që ankesa e paraqitur të refuzohet si e pabazuar, ndërsa vendimi i atakuar të mbetet në fuqi.

Gjykata Supreme, pas vlerësimit të pretendimeve ankimore lidhur me vendimin e atakuar, në mbështetje të nenit 15, të Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, ka gjetur se ankesa e gjyqtares është e pabazuar.

“Gjykata Supreme e Kosovës nisur nga kjo gjendje e çështjes vlerëson se qëndrimi dhe përfundimi juridik i Këshillit Gjyqësor të Kosovës është i drejtë dhe i ligjshëm, pasi që vendimi i atakuar nuk është i përfshirë në shkelje thelbësore të dispozitave të Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, drejt dhe në mënyrë të plotë është vërtetuar gjendja faktike, si dhe drejtë është aplikuar e drejta materiale, e po ashtu nuk është i përfshirë as në shkelje tjera, të cilat i ka pretenduar pala ankuese me ankesë”, thuhet në aktgjykimin e Supremes.

Tutje, në aktgjykim thuhet se nuk qëndrojnë pretendimet ankimore të gjykatëses Krasniqi-Jashanica, se vendimi i atakuar është përfshirë në shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës.

“Sipas vlerësimit të kësaj gjykate, dispozitivi i vendimit të atakuar është mjaft i qartë, e në përputhje të plotë me arsyet e vendimit, duke qenë kështu në harmoni logjike dhe juridike dispozitivi me arsyetimin. KGJK ka arsyetuar të gjitha faktet me peshë vendimtare për të konstatuar përgjegjësinë disiplinore të gjyqtares e në lidhshmëri me këtë ka arsyetuar mënyrën se si janë vërtetuar faktet përveç atyre jo kontestuese e gjithashtu edhe mënyrën se si i ka vlerësuar provat për secilin fakt të provuar”, thuhet në aktgjykim.

Po ashtu, nuk është pranuar as pretendimi ankimor për gjendjen faktike të konstatuar në mënyrë të gabuar dhe jo të plotë nga ana e KGJK-së, sepse në bazë të provave të administruara KGJK në mënyrë të pakontestuar e ka vërtetuar faktin se gjyqtarja Krasniqi-Jashanica, është përfshirë në shkelje disiplinore të pretenduar nga autoriteti kompetent, për shkak të neglizhencës në trajtimin e rastit penal brenda afateve ligjore.

Në fund, thuhet se Supremja ka ardhur në përfundim se KGJK drejt ka aplikuar të drejtën materiale dhe se është konstatuar përgjegjësia disiplinore e gjyqtares të pretenduar nga autoriteti kompetent, për çka edhe ia ka shqiptuar sanksionin disiplinor.

“Gjykata Supreme e Kosovës vlerëson se sanksioni disiplinor i shqiptuar nga KGJK është në përputhje të plotë me parimin e proporcionalitetit për faktin se me rastin e vendosjes ka marr parasysh seriozitetin e shkeljes disiplinore të kryer nga gjyqtarja, pasojat e shkeljes disiplinore, rrethanat në të cilën është kryer shkelja disiplinore, sjellja e përgjithshme e gjyqtares si dhe sjellja dhe bashkëpunimi i gjyqtares në procedurë disiplinore, rrethana këto që kanë ndikuar në gjetjen e nivelit të proporcionalitetit në mes të shkeljes disiplinore dhe masës disiplinore, siç përcaktohet me nenin 5 paragrafi 2.7 të Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve”, thuhet në aktgjykim.

Të ngjashme