Koalicione që regjistrohen gjysmë ore para mbarimit të afatit. Rikrijohet blloku i luftës, përballë bllokut të rugovistëve
Kosova u gjend mesnatën e djeshme para zhvillimeve politike që ngjanë të papritura, por me siguri nuk ishin të tilla. Një orë para se të mbyllej afati i regjistrimit të koalicioneve, u krijuan dy blloqe surprizë, me vendime surprizë. Nga njëra anë koalicioni LDK-AKR, me kandidat për kryeministër teknokratin dhe ministrin aktual të financave, Avdulla Hotin dhe nga ana tjetër, gjithë partitë e ardhura nga lufta, sapo morën vesh lajmin e palës tjetër, krijuan koalicionin PDK-AAK-Nisma, me kandidat Ramush Haradinajn. Vetëvendosja që kishte negociuar me AKR-në për një kohë bukur të gjatë, mbeti jashtë.
Çfarë përfaqësojnë këto dy koalicione?
Pas tërheqjes së Isa Mustafës nga kandidimi për kryeministër, i vetëdijshëm për propagandën që e pikturonte si autor i demarkacionit me Malin e Zi dhe Asociacionin e Komunave, LDK u shfaq interesante në skenë. Qoftë me mundësinë e përçarjes së saj, si pasojë e luftërave të brendshme, qoftë me mundësinë e mobilizimit të strukturave të saj të ndryshkura por ende funksionale në Kosovë dhe diasporë. Dhe brenda një dite, ajo bëri dy lëvizje: nominoi pa sherre të brendshme, Avdulla Hotin, ministrin që brenda pak vitesh vuri rend në financat e Kosovës, në tatimet dhe doganat, dhe firmosi koalicion me AKR-në, duke i afruar shumëçka: kryetarin e kuvendit, zëvendëskryeministrin e parë, 30% të listës dhe pjesën më të madhe të programit të AKR-së, të trupëzuar në programin e koalicionit. Ky koalicion, ky pajtim i Isa Mustafës me Behgjet Pacollin krijoi frikë tek blloku tjetër i udhëhequr nga PDK: u kalua në skenarin rezervë të paszgjedhjeve. Iu afrua Ramush Haradinajt posti i kryeministrit, ndoshta 50% e listës së përbashkët dhe Kadri Veseli, kryetari aktual i parlamentit dhe i PDK-së u tërhoq nga kandidimi. Vetëvendosja mbeti jashtë koalicioneve, duke u përpjekur pa dashje apo me dashje të ruajë një skenë politike trepolare. Kjo sepse prej koalicionit LDK-AK i është ofruar kompromis deri në 11.59 të natës së djeshme, dhe kanale komunikimi mbeten të hapura mes tyre.
Praktikisht në Kosovvë po ballafaqohen dy blloqe kryesore : blloku i partive të ardhura prej luftës, PDK-AAK-Nisma, i kërcënuar njëlloj nga funksionimi i Gjykatës speciale dhe blloku i partive të « paqes », LDK-së themeluar nga Rugova dhe AKR-së e dalë nga brinjët e saj. Përballë janë dy kandidatë me profile të ndryshme rrënjësisht . Ramush Haradinaj, udhëheqës ushtarak, i rritur në eksperiencë politike, në fjalor politik më të pasur sesa në fillimin e karrierës, në miqësi politike, dhe i rritur në mbështetje si pasojë e përndjekjes legale serbe dhe Avdulla Hoti, teknokrat, njeriu që vuri rregull në financat e Kosovës, të kontrolluara rregullisht prej PDK-së, duke krijuar armiqësi të mëdha në grupet e interesit të biznesit kosovar.
Këto dy blloqe do mundohen tërheqin afro një milionë vota, aq kanë mbetur pas luftës dhe ikjeve të organizuara sistematike të popullsisë me gjithë izolimin ndërkombëtar pa viza. Megjithëse në sondazhe duket fitues blloku i luftës, priten surpriza që mund të vijnë prej tre faktorëve. Së pari, efekti shtypës në vota i koalicioneve mund të shfaqet më shumë tek ky bllok ku pritet të ketë përçarje të mëdha mes të ngjashmëve me ambicie më të forta. Së dyti efekti tërheqës i një kandidati jopopulist si Hoti (Kosova ndryshe nga Shqipëria pranon kandidat të tillë dhe Isa Mustafa ishte shembulli), nëse del nga hija e paraardhësit të vet dhe reciton programin ekonomik të AKR-së. Së treti, rreshtimi i Vetëvendosjes krahas këtij blloku, megjithëse jo në suaza tërësore legale, me një listë të përbashkët. Së katërti, efekti i frikës që mund të krijohet tek votuesi i pavendosur, më inteligjent, që përfaqëson një bllok bukur të madh dhe që mund të orientojë votën tek kandidatë apo blloqe që ngjajnë më paqësorë. Së pesti, programet ekonomike të palëve do të kenë ndikim orientues, por sigurisht mes tyre do përplaset realja me irealen.
Këto janë zgjedhje ku ndërkombëtarët nuk po duken shumë në skenë, por diçka dhe mund të kuptohet për interesin e tyre. Prej bllokut fitues, prej qeverisë së ardhshme priten vendime të rëndësishme me ndikim ndërkombëtar, dhe për pasojë ata nuk mund të rrinë indiferentë ndaj asaj që përgatitet në kuzhinën politike relativisht të pavarur të Kosovës. Shqipëria pritet të luajë rol gjithashtu..